Ministrja Denaj në Ankara, nënshkruan protokollin për bashkëpunim ekonomik Turqi-Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, po zhvillon një vizitë dy ditore në Ankara, Turqi, me qëllimin intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Denaj u prit nga Mehmet Muharrem Kasapoğlu, Kryetar i Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Turqi- Shqipëri, njëherazi, Ministër i Sportit dhe Rinisë.

Ministrja Denaj dhe Kasapoğlu nënshkruan Protokollin e Bashkëpunimit të Sesionit të 12-të të Komisionit të Përbashkët Ndër-Qeveritar për Bashkëpunim Ekonomik, Tregtar, Industrial dhe Teknik Turqi- Shqipëri.

Homologët vlerësuan rëndësinë e dialogut dypalësh, si një mekanizëm për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe perspektivave për çështjet e përfitimit reciprok, që reflekton marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, të cilat vijojnë të thellohen dhe konsolidohen, duke rritur besimin reciprok politik dhe bashkëpunimin ekonomik në fusha të ndryshme.

Ministrja Denaj theksoi ecurinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tendencën në rritje të shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendeve tona, të cilat janë të qëndrueshme, ndërkohë që ekzistojnë mundësi mjaft të mëdha për zgjerimin e tyre dhe për kalimin në një fazë më të avancuar dhe me projekte konkrete.

Tregtia, energjia, industria, arsimi dhe formimi profesional, shëndetësia, turizmi, transporti, bujqësia dhe mjedisi janë disa nga fushat ku të dyja palët dakordësuan të vendosin në agjendat e tyre për bashkëpunim në vijim, deri në takimin e radhës, i cili do të zhvillohet në Tiranë vitin e ardhshëm.

Gjatë kësaj vizite u nënshkrua Vendimi 1/2020 i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtise së Lirë ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, i cili zëvendëson Vendimin 1/2009 (hyrë në fuqi në vitin 2011) dhe përcakton njehsimin e rregullave të origjinës preferenciale të mallrave, sipas Rregullave Preferenciale të Origjinës parashikuar nga Konventa Rajonale Pan-Euro-Med.

Ministrja Denaj zhvilloi një takim miqësor dhe frytdhënës edhe me presidentin e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, TOB, z.Rifat Hisarciklioglu, me të cilin u dakordësuan për organizimin brenda dy muajve të ardhshëm të një takimi të ngushtë biznesesh nga të dyja vendet në Tiranë, në zbatim të marrëveshjes të nënshkruar mes dy unioneve, si dhe dhënien e asistencës teknike për të ndihuar në rritjen e rolit të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe fuqizimin e kapacitetit të saj.

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë 1.8 miliardë euro gjatë vitit 2019. Po gjatë këtij viti, importet nga Turqia arritën vlerën prej 424 mln euro, me një rritje prej 34% në peshë dhe 17.7% në vlerë krahasuar me një vit më parë. Eksportet shqiptare arritën në 14.8 mln euro ku janë eksportuar kryesisht alumin, produkte bujqësore, hekur dhe materiale minerale. Në Shqipëri operojnë rreth 592 kompani turke në fusha strategjikë të ekonomisë si energji, banka, telekomunikacion, infrastrukturë, arsim etj.

SHKARKO APP