Ministrja Denaj në sipërmarrjen e fidanëve: Përmbushin standardet e BE-së, krijojnë cilësi për eksport
“Agripro” në fshatit Petrelë në Tiranë, është një tjetër sipërmarrje e specializuar në prodhimin e fidanëve. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë një vizite që zhvilloi në këtë fermë, bashkëbisedoi me Maksin, një agronom dhe sipërmarrës i suksesshëm në bujqësi, i cili prej vitit 1992 ka nisur punën me biznesin e tij “Agripro”, ku kultivon e tregton fidanë perimore të një cilësie të lartë.
Denaj shprehu mbështetjen për sipërmarrjet e reja me standarde në sektorin e bujqësisë dhe inkurajoi fermerët për zgjerimin e investimeve që i shërbejnë zhvillimit të sektorit dhe rritjes së të ardhurave në ekonominë familjare dhe lokale.
“Fermerët që janë pjesë e strukturave të Bashkimit të Operatorëve, mund të bashkëpunojnë me sipërmarrës si Maksi, për t’u furnizuar me fidanë cilësorë e që i përmbushin standardet e BE-së, për të arritur drejt një prodhimi të unifikuar, me cilësi konkurruese në tregjet elitare të eksportit”, tha Denaj.
Gjatë bashkëbisedimit me ministren Denaj, Maksi u shpreh se, fidanët e prodhuar në serrën e tij janë konkurrues në rajonin e Ballkanit, ndaj dhe synon të zgjerojë investimin në këtë sektor për rritjen e eksporteve.