Ministrja Denaj: Plantacioni me ullinj dhe lajthi në Krutje, model për sipërmarrjet në bujqësi

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj së bashku me drejtuesin e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe kryebashkiaken e Lushnjës, Eriselda Sefa, vizituan në Krutje, fermën bujqësore të Bahri Tushes, që krahas kulturave tradicionale bujqësore ka ngritur një plantacion në 30 ha tokë të mbjellë me ullinj dhe lajthi.

Bahriu është në vitin e tretë të investimit në këtë fermë, në të cilën ka mbjellë një sipërfaqe toke prej 9 ha me lajthi dhe në 21 ha të tjerë me ullinj. Ai tregon se plantacioni i pemëtores është një investim i dytë për të, pasi në Lushnjë ka një sipërfaqe toke me rreth 30 ha të tjerë, të mbjellë me ullinj dhe 15 ha të tjerë me serra, të ndërtuara me mbështetjen që ka marrë nga skemat e qeverisë. Ministrja Denaj u ndal në mbështetjen që adreson qeveria për nxitjen e investime në bujqësi.

Ajo shprehu bindjen se skemat e mbështetjes përmes programit IPARD 3, do të jenë një nxitje shumë e madhe për sipërmarrjet rurale, teksa e vlerësoi plantacionin e pemëtores që është ngritur në një sipërfaqe të konsiderueshme toke, në treguesit e ekonomie të shkallës. Denaj e inkurajoj Bahriun për investimin e ndërmarrë në fushën e ullishtarisë dhe prodhimit të vajit të ullirit.

“Ne këtë vit, kemi rritur eksportet e vajit të ullirit drejt tregut italian në, 5220 tonë nga 60 litra që ishin në vitin 2022. Ne mund të shisnim dhe dyfishin nëse cilësia e vajit të ullirit do të kishte qenë në ato standarde që e priste tregu. Bashkëpunimin me Italinë e kemi edhe në nivel teknik, edhe në marrëdhëniet dypalëshe midis dy ministrive dhe fusha e vajit të ullirit po u bë me të gjithë përkujdesjen e duhur deri në ambalazhim, sipas standardeve të kërkuara, do të sjellë edhe më shumë eksporte”, tha Denaj.

SHKARKO APP