Ministrja Denaj: Programe të përbashkëta me FAO-n për sipërmarrjet e grave në agrobiznes
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti në një takim Rajmund Jehle, përfaqësuesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) për Shqipërinë dhe Lorena Pëllumbin nga zyra e FAO-s në vendin tonë.
Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për planet e ardhshme, me fokus përfshirjen e të gjithë aktorëve në zinxhirin e vlerës dhe barazinë gjinore në fushat e zhvillimit rural.
Ministrja vuri në dukje se zhvillimi i programeve të përbashkëta me FAO-n, në vijim do të kenë në fokus, mbështetjen e sipërmarrjeve rurale të drejtuara nga gratë në agrobiznes, si dhe hartimin e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë
“Vëmendje të veçantë në zhvillimin e programeve të përbashkëta me FAO-n do të ketë sipërmarrja e grave në agrobiznes dhe hartimi i politikave të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve njerëzore, për një të ardhme të qëndrueshme të bujqësisë shqiptare”, deklaroi Denaj.
E themeluar në vitin 1945 dhe me seli në kryeqytetin e Italisë, Romë, FAO është një agjenci e specializuar e OKB-së që udhëheq bashkëpunimin në ushqim dhe bujqësi. Kjo organizatë luan një rol jetik në shkëmbimet globale të politikave ushqimore e bujqësore, vendosjen e standardeve, mbledhjen e informacionit e statistikat dhe fusha të tjera.