Ministrja Denaj takim me bordin e Bankës Botërore: Mbështetje fuqizimit ekonomik të gruas

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj shprehu angazhimin për mbështetjen e çdo iniciative dhe mekanizmi që avancon barazinë gjinore dhe në veçanti të grave në zonat rurale.

Denaj mori pjesë në takimin online me bordin për strategjinë gjinore të Bankës Botërore, ku u diskutua mbi mënyrat se si mund të mbështetet rruga drejt barazisë gjinore dhe hapat për zbutjen e hendekut gjinor dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Ajo tha edhe se Shqipëria është e angazhuar t’i përgjigjet sfidave të barazisë gjinore të ravijëzuara dhe në Strategjinë Kombëtare të Barazisë Gjinore 2030, plotësisht në përputhje me direktivat e BE dhe konventat ndërkombëtare. Në diskutimin e saj, Denaj theksoi se në strategjinë që është përgatitur për 10 vitet e ardhshme, është punuar drejtpërdrejt me parlamentin dhe strukturat e komisioneve të posaçme.

“Aktet ligjore të krijojnë mundësinë e mbështetjes për fuqizimin ekonomik të gruas në aspektin social dhe në veçanti për edukimin dhe arsimimin. Në takimin e sot u dakordësuam që është e nevojshme një strategji e përbashkët dhe dialog mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe një përfshirje më aktive të burrave”, u shpreh Denaj.

SHKARKO APP