Ministrja Denaj, takim me homologun nga Kosova: Bashkëpunim për rritjen e shkëmbimeve tregtare

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u takua këtë të premte me homologun nga Kosova, Faton Peci. Gjatë takimit të mbajtur në Tiranë, palët theksuan bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, rritjen e shkëmbimeve tregtare sidomos produkteve bujqësore e blegtorale.

“Diskutimet i përqendruam në shkëmbimin e përvojave, teknologjive moderne dhe strategjive, për të përmirësuar prodhimin bujqësor në të dy vendet dhe sigurinë ushqimore të produkteve, duke synuar të krijojmë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe në avantazh për të dy vendet në fushën e bujqësisë” – u shpreh ministrja Denaj.

Gjatë këtij takimi u vendosën disa piketa bashkëpunimi konkrete në aspekte bilaterale të grupeve teknike të punës, në mënyrë që të arrihet kursimi i kohës dhe kostove. Denaj u shpreh se Kosova ka një rritje të vlerësimit në raport me sistemin e regjistrimit të tokës (FADN) që ne në Shqipëri jemi duke punuar dhe do të marrim një eksperiencë shumë të mirë e cila do të ndihmojë të projektohet siç duhet, duke shmangur disa gabime që mund të kenë bërë më parë kolegë tanë në Kosovë.

Për më tepër u theksua vijimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e agroturizmit, ku paketat e përbashkëta turistike do të jenë jo vetëm për shqiptarët dhe bashkëkombasit tanë në Kosovë, por edhe për turistët e huaj.

SHKARKO APP