Ministrja Denaj takon ambasadorin gjerman, bashkëpunim për fuqizimin e fermerëve
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj priti sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner. Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, për të fuqizuar fermerët dhe zhvillimin ekonomik në zonat rurale.
“Falenderova mbështetjen e çmuar të GIZ në shumë projekte të lidhura me trajnime e financime direkte, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare dhe atyre gjermane në kuadër të rritjes së eksporteve bujqësore drejt Gjermanisë”, deklaroi Denaj.
Për sa i takon rritjes së kapaciteteve të institucioneve në varësi të ministrisë, ministrja Denaj garantoi vëmendjen e shtuar në rritjen e cilësisë dhe të strukturave të kontrollit për efektivitet të mbështetjes financiare.
“Propozova nevojën për nisma të përbashkëta në fushën e arsimit profesional, ku synojmë përmirësimin e programeve në shkollat e arsimit të mesëm me degë të profilit bujqësor”, u shpreh ajo.