Ministrja e Arsimit: Vetëm 36 shkolla pa sistem ngrohjeje
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi thotë se arsyeja e mbylljes së shkollave për 3 ditë është e njëjtë me arsyen që edhe vendet shumë më të zhvilluara se Shqipëria, bënë të njëjtën gjë.
”Jemi dëshmitarë që në zona në veri dhe juglindje, temperaturat shkuan deri në -17 gradë. Atëherë, ne jemi të detyruar dhe kemi përgjegjësi që të kujdesemi për sigurinë e nxënësve jo vetëm brenda mureve të shkollës, por që në momentin që dalin nga shtëpitë e tyre. Maqedonia e Veriut ka raportuar mbi 40 raste frakturash nga ecja në ngrica. Arsyeja nuk lidhet me situatën e ngrohjes në shkolla, por me vështirësinë e rrugës dhe temperaturat jashtëzakonisht të ulta”, deklaroi Kushi për ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, ministrja është përgjigjur edhe për akuzat e opozitës, që në shkollat e Shqipërisë ka mungesa për ngrohjen.
”Në komunikim me bashkitë e vendit dhe zyrat arsimore, ne kemi marrë masat që në muajin nëntor. Ne kemi statistika të plota të të gjitha shkollave nëse kanë apo jo ngrohje dhe çfarë ngrohje kanë. Në të gjithë vendin ka 36 shkolla pa sistem ngrohjeje. Në këto shkolla ka ngrohje vetëm me rezistenca dhe ne do të punojmë që edhe këto shkolla të kenë sistemin e tyre të ngrohjes”.