Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tregon se çfarë do të ndodh me financat
Ekonomia është shqetësimi kryesor i shqiptarëve. Pandemia ende e pranishme dhe është një rrezik që kërcënon buxhetet e familjeve dhe buxhetin e shtetit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, foli në ”A2cnn” për gjendjen që ndodhet ekonomia shqiptare, si dhe për pritshmëritë.
“Tërmeti dhe pandemia ishin dy goditje që amplifikuan njëra-tjetrën. Ekonomia shqiptare tregoi një lloj qëndrueshmërie gjatë vitit 2020, ku i tejkaloi të gjitha parashikimet. Ndërkohë, vitit 2021 ka nisur mirë, në tremujorin e parë patëm një rritje prej 5,5%.
Ecuria e treguesve indirektë të lidhur me ekonominë, tregtia e jashtme apo të ardhurat, tregojnë për një vazhdimësi dhe përshpejtim të rritjes ekonomike.
Edhe ky vit parashikohet të mbyllet me një rritje më të lartë nga sa ishte menduar në fillim të vitit. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e politikave të ndjekura gjatë periudhës së pandemisë”.
Ministrja thotë se nga vitit 2022, qeveria planifikon të hyjë në një rrjedhë të konsolidimit fiskal. Ibrahimaj theksoi se pasiguria kryesore mbi këto parashikime lidhet me efektet e pandemisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet e huaja.