Ministrja e Shëndetësisë: Po sigurojmë vaksina për t’u paraprirë planeve për dozën e tretë
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mori pjesë në Komisionin e Ekonomisë, ku foli për marrëveshjen e Pfizer për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave duke thënë se qeveria shqiptare ka bërë pagesën për mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të cilat do të vijnë brenda këtij viti.
Ndër të tjera tha se po punojnë për t’i paraprijnë planeve të Komitetit nëse do të kërkojnë dozën e tretë të vaksinës për të shtuar mbrojtjen e njerëzve nga Covid-19. Manastirliu foli edhe për teoritë që qarkullojnë për vaksinat duke thënë se “helmojnë mendjen e njerëzve.”
“Puna jonë nuk po rresht për asnjë moment për të vijuar lidhjen e marrëveshjes që të sigurojmë dozat e vaksinave për t’i paraprirë edhe planeve nga Komiteti i Ekspertëve që është doza e tretë dhe nëse është e mundur për të ulur fashën moshore të vaksinimit, pra edhe përfshirjen e grupmoshave të fëmijëve. Në disa vende të botës e kanë filluar vaksinimin e fëmijëve. Ne jemi duke siguruar vaksina që nëse Komiteti miratojnë hapjen e fashave apo dozën e tretë, në moment që ta miratojnë, ne të jemi gati dhe të kemi vaksinat e nevojshme.
Duhet të themi që kemi sfidën e mbulesës vaksinale dhe përsa i përket kësaj sfide, është përpjekje e të gjithëve. Punonjësit e sistemit shëndetësor janë të angazhuar kudo, qoftë edhe në banesa për të rritur mbulesën vaksinale.
Ende kemi qytetarë të pavaksinuar. Vaksinimi është sfida që të mbrojnë jetën. Detyra e qeverisë shqiptare është sigurimi i vaksinave.
Ka edhe konspiracione që helmojnë mendjen e njerëzve, por detyra jonë është të rrisim mbulesën vaksinale. Kemi siguruar që edhe në zona të thella të mundësojmë vaksinimin në një qendër shëndetësore apo në pika të tjera.
Janë vaksinuar me dy doza rreth 790 mijë qytetarë. Përsa përket marrëveshjes me Pfizer, është e bërë në fillim të këtij viti. Nuk është marrëveshje e re. Nuk mund të parashikohej ndryshimi i aktit normative se janë marrëveshje jashtë radhe. Asnjë vend nuk e parashikon nëse Pfizer do të lidhë marrëveshje apo jo”,- tha Manastirliu.