Ministrja Gjonaj takim online me homologen gjermane: Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloj një takim të parë bilateral online me Ministren e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christine Lambrecht. Gjonaj shprehu mirënjohjen e saj dhe të qeverisë për mbështetjen e fortë të Gjermanisë për çeljen e negociatave. Ministrja Gjonaj vlerësoi asistencën teknike që Gjermania ka ofruar në reformimin e shtetit të së drejtës dhe sistemit gjyqësor nëpërmjet Fondacionit Gjerman për Ndihmë Ligjore Ndërkombëtare (IRZ). Ajo falenderoi gjithashtu për mbështetjen e ambasadorëve gjermanë si Schultz dhe Zingraf, si dhe ekspertëve të cilët kanë mbështetur hartimin e reformës dhe që ajo ka patur fatin të bashkëpunoj si pjesë e grupit të punës.
Gjonaj i prezantoi homologes së saj ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi: Emërimet në Gjykatën Kushtetuese; Strukturën e Posacme Antikorrupsion: SPAK, BKH, Gjykatat e posacme; Rezultatet e Vettingut si dhe masat e marra me Shkollën e Magjistraturës për të adresuar vakancat e shumta në sistemin e drejtësisë.
Ministrja Lambrecht shfaqi interes të lartë për procesin e reformës në drejtësi dhe shprehu bindjen që Shqipëria është duke ecur në rrugën e duhur. Në Gjermani Gjykata Kushtetuese gëzon një besim shumë të lartë dhe vendimarrjet e saj respektohen maksimalisht, dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria ka marrë këtë rrugë shumë të vështirë por po aq të rëndësishme për ti kthyer besimin gjyqësorit.
Në rolin e saj si Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit, Gjonaj u ndal gjithashtu në masat që ka ndërmarrë qeveria Shqiptare për të forcuar luftën kundër korrupsionit si edhe për ngritjen e funksioninmin e Task Forcës dhe Rrjetit të koordinatorëve Antikorrupsion dhe rëndësinë e tyre veçanërisht në institucionet që kanë një rrezik të lartë për t’u ndikuar nga veprimet korruptive, me përgjegjësinë e tyre për të kryer inspektime, për të marrë denoncimet, si dhe referuar në Prokurori çdo rast të dyshuar korrupsioni, apo shpërdorim detyre.
Ministrja Federale e Drejtësisë dhe e Mbrojtjes së Konsumatorëve vlerësoi shumë hapat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe siguron Ministren Gjonaj për mbështetjen e saj dhe të Ministrisë Federale të Drejtësisë lidhur me projektet që garantojnë forcimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ajo vlerësoi gjithashtu energjinë dhe konsekuencën e Ministres Gjonaj si mbresëlënësë dhe e ftoi në një takim në Berlin duke i uruar që të mbajë funksionin e Ministres së Drejtësisë edhe pas zgjedhjeve.