Ministrja Kushi: Abetarja e përbashkët do të fshijë kufijtë mes Kosovës e Shqipërisë
Në Gjakova është përuruar abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë, ku të pranishëm ishin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi.
Në fjalën e saj, Kushi tha se shumë kanë qenë skeptike për këtë nismë, por që ia dolën ta realizojnë. Ajo tha se kjo është një ditë historike dhe se kjo abetare do të fshijë kufijtë mes dy vendeve.
“Shumë njerëz ishin skeptike, që ne do ta realizonim këtë nismë. Jo thjesht një abetare të re, por një abetare cilësore dhe që reflekton të gjitha shqetësimet.
Kur ka bashkëpunim asgjë nuk është e pamundur. Kjo abetare do të fshijë kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky është libri që do ta na bashkojë më shumë dhe forcojë më shumë dashurinë për njëri-tjetrin. Jemi një komb dhe kemi një gjuhë.
Edhe Faik Konica ka thënë e vetmja lidhje që i ka mbajtur të lidhur shqiptarët ka qenë gjuha shqiptare.
Për ne nuk ka krenari më të madhe sesa gjuha shqipe.
Sa shumë histori me shkronjat shqipe. Ne kemi organizuar një ekspozitë me të gjitha abetaret, më shumë se 100 abetare.
Unë jam krenare që gjuha shqipe mësohet jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Universitetet më prestigjioze në botë. Së fundmi gjuha shqipe do të mësohet në Universitetin e Harvardit”, tha Kushi.