Ministrja Kushi: Benet, duhet të bashkëpunojmë ngushtë për infrastrukturën shkollore dhe universitetin
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se bashkëpunimi me bashkinë e Shkodrës është e domosdoshme për projekte dhe programe që realizohen jashtë orarit mësimor.
”Projekti Shkolla Qendër Komunitare, projekti Ekipet Sportive, arti dhe zejet, bëjmë detyrat e shtëpisë e shumë projekte të tjera nuk realizohen dot nëse nuk do ishte mirëmbajtja dhe administrimi i shkollave që u takon bashkive. Prandaj unë vetë angazhohem me strukturat arsimore për të bërë maksimumin”,-tha Kushi gjatë turit të kryeministrit Edi Rama që nisi në Shkodër.
Duke folur për universitetin e Shkodrës, ministrja Kushi tha ndër të tjera se ka një potencial të jashtëzakonshëm, por ka nevojë për mbështetje, ndaj kërkoi që të bëjnë maksimumin në bashkëpunim me bashkinë për infrastrukturën, projektet e mbështetjes studentore dhe ndërkombëtarizimin.