Ministrja Kushi jep lajmin e mirë: Shërbim për këshillimin e karrierës në të gjitha klasat e 9-ta

Me nisjen e vitit të ri 2023, Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ofrojë shërbimin për këshillimin e karrierës që në klasën e 9-të në të gjitha shkollat e vendit.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në një postim në rrjete sociale. Qëllimi i këtij hapi të ministrisë është orientimi i nxënësve që të marrin vendimet e duhura kur zgjedhin mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional, bazuar në përgatitjen e tyre, preferencat dhe kërkesat e tregut të punës.

Po ashtu Kushi shton se ky shërbim do të mbështetet edhe në edukimin për karrierën, që tashmë është pjesë e kurrikulës së bazuar në kompetenca për të gjithë sistemin arsimor dhe që i ndihmon nxënësit për t’u orientuar drejt prirjeve dhe aftësive profesionale për menaxhimin e karrierës së tyre në të ardhmen.

Nga muaji janar 2023 do të organizohen edhe panaire promovuese ku nxënës të klasave të 9-ta dhe prindërit e tyre të shohin dhe mësojnë nga afër rreth profesioneve që kanë shkollat profesionale. Shkollave 9-vjeçare do tu jepet mundësia që të vizitojnë dhe bëjnë takime me shkolla profesionale për të folur rreth programeve profesionale.

SHKARKO APP