Ministrja Kushi: Klasat e para dhe maturnatët mësim në shkollë. Klasat e 6-9 dhe 10, 11 mësim të alternuar

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi doli këtë të enjte në një konferencë për shtyp, ku shpejgoi sesi do të vijojë mësimi në shkollat e vendit pas datës 1 dhjetor. Ministrja ka bërë me dije se pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve dhe pas konsultimeve dhe orëve të gjata të punës me ekspertët e MASR, përfaqësuesit e Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), si dhe analizës së eksperiencës në vendet e tjera është hartuar shtojca e udhëzuesit të fillim-vitit 2020-2021.

Sipas këtij udhëzuesi, shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.

“Klasat e arsimit fillor nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës, njësoj siç kanë vepruar deri më tani me skenarin 1 të udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021; Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë: Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online. Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë. Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online. Në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online”, tha ministrja Kushi.

Në raste të veçanta, kur ka raporte mjekësore apo me kërkesë të prindit nxënësit mund ta zhvillojnë mësimin online. Për shkolla publike apo private në qytete apo në fshat ku numri i është i ulët dhe nuk ka raste të infektuarish me Covid-19, mund të vazhdojë të zbatohet dhe skenari i parë siç është në fuqi, natyrisht në zbatim të rregullave dhe protokolleve shëndetësore së bashku me mirëkuptimin e prindërve. Kanali i dedikuar RTSH shkolla dhe platforma akademia.al do të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve.

SHKARKO APP