Ministrja Kushi: Të edukojmë nxënësit tanë me vlerat më larta të demokracisë
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ambasadorin Italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci kanë lançuar projektin për promovimin e kulturës së ligjshmërisë dhe luftës ndaj korrupsionit.
Ky projekt nisi pak muaj më parë si një bashkëpunim mes dy ministrive dhe Ambasadës Italiane, me qëllim edukimin e nxënësve për parandalimin e korrupsionit dhe përhapjen e kulturës së ligjshmërisë dhe të qytetarisë.
Janë përzgjedhur 4 shkolla të mesme në Tiranë, ku organizata AVVISO Pubblico do të bëjë trajnimin për këtë projekt.
Ministrja Kushi theksoi se për MAS është e rëndësishme që nxënësit t’i pajisim me njohuri dhe aftësi për të qenë profesionistë të aftë, por edhe me vlerat më të mira të qytetarisë dhe të shoqërisë demokratike.
“Për këtë arsye, ne si ministri mbështesim çdo iniciativë dhe projekt që na ndihmon për promovimin e këtyre vlerave tek nxënësit tanë”, shprehet Kushi.
Sipas ministres mësimi i këtyre vlerave duhet të bëhet në një moshë sa më të hershme për shkak se edukimi është shumë më efektiv tek moshat e reja.