Ministrja Kushi, vizita ndërgjegjësuese nëpër universitete për vaksinimin e studentëve (VIDEO)
Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi ka vizituar Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Universitetin e Arteve, ku ka përsëritur apelin para studentëve për t’u vaksinuar dhe rëndësinë e këtij procesi për mbarëvatjen e jetës akademike dhe mbrojtjen e shëndetit të gjithësecilit.
Ajo ka nënvizuar tek studentët se vaksinimi nuk shërben thjesht për të hyrë në auditore, por për të mbrojtur shëndetin e tyre, të familjarëve dhe komunitetit. ”Ju jeni të rinj, bëni jetë sociale, hyni në kinema, bare etj. Prandaj, vaksinimi ju duhet. Madje, edhe për udhëtim jashtë vendit, certifikata e vaksinimit është e nevojshme. Shumë suksese të gjithëve në këtë vit akademik”.
Ndërsa cilëson se viti i kaluar akademik me mësimin “online” ishte shumë i vështirë, znj. Kushi shprehet se është e rëndësishme që mësimi në auditore të kthehet tashmë në normalitet. “Nëse ne jemi të gjithë të ndërgjegjësuar e të vaksinuar, patjetër që ky vit akademik do të shkojë sa më mbarë”.
Gjatë bisedës me studentët, ministrja nënvizon se “Ne që jemi të shëndetshëm, e kemi dyfish më të madh detyrimin për t’u vaksinuar që të mbrojmë edhe ata që janë më të rrezikuarit. Dhe në këtë rast, më të rrezikuarit janë pedagogët tuaj, stafi akademik dhe prindërit që keni në shtëpi”, duke thënë se mbi të gjitha vaksinimi është një detyrë qytetare e secilit.