Ministrja Shahini flet për mbylljen e vitit shkollor dhe për Maturën
Në këtë kohë që mësimi vijon online, pyetja e të gjithëve është se a do të mbyllet ky vit shkollor. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, thotë se viti do të mbyllet për ata nxënës që duan.
“Të gjithë nxënësit do ta mbyllin vitin shkollor nëse duan. Nëse nxënësit duan ta përsërisin vitin shkollor apo duan ta bëjnë maturën vitin tjetër, do ta kenë këtë mundësi pa u penalizuar. Mund ta marrin këtë vendim që të mbesin për vitin tjetër, ta përsërisin dhe një herë vitin pa u penalizuar, pa shkruar në deftesa apo diplomë që këta janë përsëritës”.
Shahini tregon se ende nuk është marrë një vendim për datën e kryerjes së provimeve të maturës. “Vendimi nuk është marrë ende për provimet e minimaturës dhe maturës shtetërore pasi duhet të presim fundin e prillit. Unë do të doja shumë që provimet e maturës t’i mbyllim në qershor. Sidoqoftë këto nuk janë vendime të marra, por skenarë që po diskutohen dhe po ndryshojnë nga dita në ditë duke shtuar elemente të reja. Po shohim edhe modelet përreth nesh në mënyrë që t’i aplikojmë në vendin tonë. Provimi i maturës do të jetë më i lehtë këtë vit. Nuk do të përfshihen leksionet që janë marrë nga shtëpia”.