Ministrja Spiropali: Brenda 2024-ës përmbyllim investimet në 30 shkolla të reja

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nënvizoi sot rëndësinë e modernizimit të infrastrukturës arsimore, ndërsa siguroi se brenda ciklit 2023-2024 do të përmbyllen investimet në 30 shkolla të reja. Spiropali ishte e pranishme sot në çeljen e Legjislaturës III të Parlamentit të Nxënësve, aktivitet që u zhvillua në sallën e seancave plenare.

Ajo theksoi se ky ushtrim i rëndësishëm i demokracisë tek të rinjtë, në një seancë të posaçme me nxënës të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria, adresoi që në nisje rëndësinë e të bërit bashkë për sfida madhore, ndër më të rëndësishmet: arsimi, çelësi i të tashmes dhe ardhmërisë së një vendi.

Ministrja vuri në dukje se “me miratimin e buxhetit 2024 i hapëm rrugën mundësimit të librave falas për 231 mijë nxënës nga klasa I-IX dhe po ashtu për 18 mijë nxënës nga shtresat sociale në nevojë dhe jo vetëm”.

“Brenda ciklit të 2023-2024 do të përmbyllen investimet në 30 shkolla të reja, sepse ne besojmë që modernizimi i infrastrukturës arsimore, krijimi i një mjedisi me standardet më të mira, ku nxënësi ndihet i frymëzuar për të shpalosur potencialin e tij është ajo çka më së shumti ka rëndësi në arsimimin dhe edukimin e brezave”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP