Ministrja Xhaçka krah SHBA-së: Mbështesim fuqimisht integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës
Shqipëria mbështet vendimin e Departamentit të Thesarit në SHBA, i cili vendosi sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik.
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka thotë se Shqipëria mbështet fuqimisht integritetin territorial të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për ta minuar atë dhe për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Ne mirëpresim përcaktimet e vendosura nga OFAC. Shqipëria mbështet fuqimisht integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për ta minuar atë dhe për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. E ardhmja e rajonit tonë qëndron në bashkëpunim dhe integrim, larg politikës së përçarjes dhe konfliktit”, shkruan Olta Xhaçka.
Shtetet e Bashkuara vendosën sot sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial” të Bosnje Hercegovinës.