Minoritarët grekë në Shqipëri, do marrin prapë pensione nga Greqia

 

Minoritarët grekë në Shqipëri do të përfitojnë përsëri si dikur pensione nga Greqia. Dhe kjo, sepse pas dy vitesh mungesë, shteti grek ka vendosur rikthimin e pensioneve të tyre.

Kështu, qeveria greke ka vendosur rikthimin e pagesës e cila do të jepet në formën e një kompensimi social dhe që do të ketë vlerën e 260 eurove. Teksa shumica e përfituesve janë homogjenë nga Shqipëria dhe Rusia.

“Kemi parashikuar një fond prej 62 milionë euro në buxhetin e vitit 2016, në shërbim të kompensimit shoqëror për të moshuarit e pasiguruar. Sigurisht, pjesa më e madhe e përfituesve janë homogjenë nga Shqipëria dhe ish Bashkimi Sovjetik”, deklaroi ministri grek i punës dhe sigurimeve shoqërore, Jorgos Katrugalos, gjatë raportimit në Komisionin e Çështjeve Sociale.

Më tej ai ka pohuar se “parashikojmë një procedurë për paraqitjen e kërkesave përkatëse dhe dokumentacionit, që do të fillojë nga 1 janari 2016. Sa i përket shumës së kompensimit do të përpiqemi të jetë në nivelin sa më të lartë, por objektivi ynë është që të mbulohen nevojat bazike të jetesës. Sigurisht, 260 euro janë pak, nuk janë para të mjaftueshme për situatën që ndodhet sot ekonomia greke. Sepse megjithëse janë ulur pagat dhe pensionit, çmimet mbeten ende shumë të larta”.

Rreth 20.000 homogjenë nga Shqipëria merrnin një pension mujor prej 360 eurosh nga shteti grek. Por në vitin 2013 ky pension u hoq, si pasojë e shkurtimeve buxhetore në zbatim të programit të shpëtimit të Greqisë, të dakorduar midis Athinës dhe kreditorëve.

SHKARKO APP