Minoritetet, Avokati i Popullit: Të ribëhet regjistrimi i popullsisë

Në një takim për të drejtat e minoriteteve, Avokati i Popullit ka pranuar se në zyrën e tij në Dropull, shqetësimet janë të shumta. Në përgjigje të kërkesave të tyre, Igli Totozani, e cilësoi domosdoshmëri mbajtjen e një tjetër censusi, që të jetë i pranueshëm nga minoritetet dhe pranoi që mungon ligji për pakicat.

Avokati i Popullit e cilëson të domosdoshëm realizimin e një tjetër censusi për regjistrimin e popullsisë, të pakontestuar nga minoritetet.

Gjithashtu nga Gjirokastra, Igli Totozani, ka pohuar se mungon një ligj për minoritet.

“Shqipëria ka nevojë, sidomos për minoritetet, për një census që të jetë i gjithëpranuar edhe nga minoritetet, mungon një ligj për minoritetet. Ka nevojë Shqipëria për një ligj kuadër për minoritetet. Kemi pasur ankesa nga minoriteti maqedonas në Pustec, ankesa nga romët për situatën tepër të vështirë të tyre për mosintegrim, kemi pasur ankesa nga pjestarë të minoritet grek dhe minoriteteve të tjera”, tha ai.

Për Zv/kryetarin e prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, Shqipëria duhet të dëgjojë raportet shqetësuese të avokatit të popullit, kundër diskriminimit. Duhen zbatuar ligjet, tha Wilton.

“Pyetja është përgjithmonë zbatimi i ligjit, rregullave sa i përket të drejtave njerëzore dhe çështjeve të tjera. Ne jemi duke pritur rezultatet e sistemit administrativ territorial”, tha ai.

Në Dropull ankesat nga minoritetet, pranë zyrës së Avokatit të Popullit kanë qenë për të denoncuar rastet e grabitjes së banesave, objekteve të kultit, mungesën e energjisë etj, duke kërkuar prezencë më të shtuar të policisë.

SHKARKO APP