Minoriteti serb në Shqipëri i ankohet Vuçiçit: Duam shkolla dhe media

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar takime me përfaqësues të minoritetit serb në Shqipëri, gjatë qëndrimit të tij në Tiranë. 

Ai u premtoi atyre se qeveria serbe do të bëjë gjithçka që t’i mbështesë, si edhe do të lehtësojë procedurat për pajisjen e tyre me pasaporta të shtetit të Serbisë. Takimi u zhvillua mes tij dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Serbëve të Shqipërisë, të cilët jetojnë më së shumti në Shkodër.

Kreu i kësaj shoqate, Simo Hajkoja Hakoviç i shprehu pakënaqësi kryeministrit Vuçiç për  statusin që ata kanë në Shqipëri dhe për respektimin e të drejtave të minoriteteve.

“Ne nuk kemi shkolla në gjuhën serbe. Nuk kemi televizione apo media në gjuhën tonë”, tha ai.

Ndërsa kreu i shoqatës serbe “Moraca­Rozafa” tha se në Shqipëri jetojnë të paktën 30 mijë serbë dhe malazezë, myslimanë dhe ortodoksë bashkë.

Sipas gazetës “Tajung”, serbët e Shqipërisë nuk kanë marrë pjesë as në censusin e fundit të bërë nga autoritetet shqiptare.

SHKARKO APP