Miqtë: Bajo iku në një situatë “absurdi”. Veprat krijuese do të flasin përjetësisht

Skulptori Arben Bajo mbylli sytë në moshën 53-vjeçare, pasi nuk e fitoi betejën me Covid-19. Politikanë e artistë shqiptarë, kanë shprehur ngushëllime për artistin shqiptar. Ndër miqtë e tij si Rita Petro, Ardian Isufi, Petrit Malaj, Renato Kullolli dhe Alem Toska, shprehin ngushëllimet por tregojnë edhe njëherë vlerat që la pas artisti.

Shkrimtarja Rita Petro, thotë se kafeja e mëngjesit ishte shumë e hidhur nga ky lajm i trishtë, pasi sipas saj ishte nga ata artistë që qëndroi në kohëra absurde e krijoi mrekullira me forma harresash, ulërimash të heshtura, dhe për të ai iku në një situatë “absurdi”. “Ike kur askush nuk e priste. Shumë, shumë e hidhur kafeja e mëngjesit nga ky lajm i trishtë. Arben Bajo ti ishe nga ata artistë që qëndrove në kohëra absurde, krijove mrekullira me forma harresash, dhimbjesh, vetmish, ulërimash të heshtura, dhe ike në një situatë “absurdi”. Ike kur askush nuk e priste, në takimin te ekspozita e fundit folëm aq gjatë për punët e tua të mbaruara dhe lamë të pinim kafen në studion tënde për të parë edhe skulpturat e pambaruara, që sot s’kanë sy të qajnë për ty e gojë për të folur”.

Artisti Ardian Isufi shprehet se arti për Bajon në çdo çast e moment ka qenë parajsa shpirtërore. “Dhimbja për ty nuk ka fjalë. Mik: Dhimbja për ty nuk ka fjalë. Vetëm Trishtim! Pedagog dhe Artist: Parajsa qoftë për ty si udhëtim i fundit sepse për ty, Arti në çdo çast e moment ka qenë Parajsa jote shpirtërore”,

Petrit Malaj, aktor dhe dekan i Universitetit të Arteve, teksa ka ngushëlluar famlijen Bajo për humbjen e skulptorit, thotë se miku i tij la pas vepra që do të flasin përjetësisht. Nga ana tjetër, ai thotë se Bajo talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë. “Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Trishtim i madh. Humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri. Ende nuk mund ta besoj. Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentet dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që pata një koleg, një mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve! Ngushëllimet më të sinqerta familjes! U prehsh në paqe i dashur Beni”.

Artisti Renato Kullolli, më parë student i artistit prej 5 vitesh shprehet se ka qenë një leksion shumë i vyer për të duke u ndjerë krenar që e ka njohur. ”Keni qenë leksion jetë për mua. Me dhimbje mësova sot për humbjen e një prej artistëve dhe ikonave të artit. Edhe pse iu dorëzua vdekjes në moshe shumë të re, ai ishte dhe do mbetet një frymëzim për brezat që mësoi gjithashtu dhe për mua në veçanti. Ju profesor Beni jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që patën fatin të të njohin, konsiderohesh si një mik dhe thesar për më tepër. Ju profesor Beni jeni kthyer në leksion jetë për mua duke më ndihmuar në çdo hap të vështirë në rrugën e artit. Ndihem vërtet krenar që pata fatin të jem studenti yt për 5 vite me radhë dhe ndoqa me detaje proceset e të berit art. Nga ju mësova të ndihem i pavarur në realizimin e veprave të mia. Do ngelesh përjetë në zemrën time! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtoret e t’u, profesor Arben Bajo”.

Skulptori Alem Toska thotë se ka shumë dhimbje pasi humbëm një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën. Ai kujton momentet e bukura me profesorin, studion me muzikë, duart me allçi dhe batutat me të.

”Humbëm një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën Sot ka shume dhimbje, shumë fjalë, e shumë dëshirë për të kthyer pas qoftë sa për ta përshëndetur mikun dhe profesorin tim Arben Bajo. E kam të pamundur të shpreh në fjalë dhimbjen time por mundem të tregoj mirënjohjen time të thellë për profesor Arbenin si udhëheqësin tim në art, e padyshim dhe në jetë. Nëse i mbyll sytë tani, e kam të thjeshtë të shfaqem tek e njëjta studio me muzikë, në duart me allçi, dhe me batutat e profesorit të cilat ende më shoqërojnë në kujtime. Në katër vite, kjo rutinë ka qenë një ambient paqeje për të dy ne, sepse dashuria për artin nuk e llogariste lodhjen. Shqipëria humbi sot një artist të madh, unë humba një mentor të shkëlqyer, një njeri me vizion për të bukurën dhe jetën, të cilën përpiqej ta transmetonte tek mua dhe tek të gjithë. Të pushoftë shpirti në paqe profesor”.

SHKARKO APP