Mira Murati, nga dallgët e brigjeve të Vlorës te matricat e inteligjencës artificiale, arkitektja e erës së re

Nga Albert Vataj-

​Sot, Shqipëria nuk është më një “nocion gjeografik”, siç do ta përcaktonte ftohtë dhe me cinizëm gjeopolitik Otto von Bismarck në llogaritë e mëdha të kancelarive të vjetra. Ajo nuk është më as ajo njollë e errët në hartën e paragjykimeve, ku pas çdo krimi apo trazire, mediat e huaja nxitonin të skiconin identikidin e një shqiptari si autorin potencial.

​Eksodi biblik, tashmë i përket një të shkuare që po fshijmë nga traumat e kujtesës. Listat e zeza të izolimit nuk na skedojnë më në analet e tyre të dyshimit. Ka kohë që kemi dalë, me dinjitet nga rrethi vicioz i vendeve të pasigurta.

Swiss Digital Desktop Reklama

​Sot, kjo tokë legjendarësh dhe legjendash, e lahutës dhe isopolifonisë, kcimit të Tropojës dhe shtegtimit të dhenve, eposit e iliadave, gjuhës dhe gjurmëve në histori, që skaliti në eterin e kohëra emrin e Skënderbeut si Kalorës i Krishtit, është shndërruar në mrekullinë e papritur të Evropës Juglindore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Shqipëria e sotme është toka që ka mbarështuar një bimë të rrallë ekzistenciale, një vitalitet që harliset mes sfidave më të egra, që gjen dritë aty ku dikur kishte vetëm hije terri dhe që dëshmon se rrënjët tona, sado të goditura nga stuhitë e historisë, kishin brenda tyre kodin gjenetik të triumfit. Ne nuk jemi më thjesht udhëtarë në stacionet e botës; ne po bëhemi projektuesit e stacioneve të së nesërmes.

Sot jemi Shqipëria e Angjelin Preljocaj, Ermonela Jahos, Igli Tare, Tedi Papavrami, Anri Salës, etj., etj., etj., siç jemi atdheu i Mira Muratit dhe krenar i arritjeve të saj.

Në një kohë kur bota po përshpejtohet drejt një të ardhmeje të diktuar nga Inteligjenca Artificiale, një emër shqiptar qëndron në epiqendër të këtij revolucioni epokal, këtij cikloni sfidash. Ajo është Mira Murati. Shqiptarja për të cilën flet gjithë bota, vlonjatja e gurthemelit të erës së re të njerëzimit.

​Inxhiniere, vizionare dhe lidere e shquar në një nga fushat më përcaktuese të shekullit XXI, ajo u shndërrua në simbolin e mendjes së ndritur që sfidon kufijtë tradicionalë dhe formëson të nesërmen. E rritur mes vlerave të trashëgimisë sonë kulturore dhe e kalitur nën rigorozitetin e edukimit perëndimor, Murati mishëron lidhjen organike mes rrënjëve dhe horizontit, mes përulësisë dhe guximit, mes ëndrrës ekzistenciale dhe përmbushjes së saj. Historia e saj nuk është thjesht një triumf personal, por një dëshmi ontologjike se shqiptarët mund të jenë jo vetëm dëshmitarë të së ardhmes, sedo edhe arkitektë të saj.​

​E lindur më 1988 në Vlorë, në prag të përmbysjeve të mëdha socio-politike, Mira u largua herët nga vendlindja për të ndjekur thirrjen e dijes jashtë vendit. Ajo u diplomua për Inxhinieri Mekanike në Dartmouth College, një nga universitetet elitare të Ivy League në SHBA. Që në fillesat e karrierës së saj, spikati si një mendje e shkëlqyer, intuitive dhe thellësisht novatore.

​Përpara se të bëhej pjesë e matricës së Inteligjencës Artificiale, Mira kontribuoi në kompani avangarde si Tesla, ku udhëhoqi zhvillimin e Model X, dhe Leap Motion, ku punoi për krijimin e ndërfaqeve njerëz-kompjuter.

​Në vitin 2018, ajo iu bashkua OpenAI, duke u ngjitur shpejt në rolin e Kryetegnologes (Chief Technology Officer – CTO). Nën drejtimin e saj teknik u lançuan platformat që tronditën botën: ChatGPT, DALL-E dhe Codex.

Në nëntor të vitit 2023, gjatë një prej krizave më të mediatizuara të Silicon Valley, ajo u emërua përkohësisht CEO e kompanisë pas largimit dramatik dhe jetëshkurtër të Sam Altman. Gjatë atyre ditëve të trazuara, Murati shfaqi një maturi të jashtëzakonshme, duke u vlerësuar globalisht për qetësinë dhe aftësinë për të mbajtur të palëkundura themelet e platformës më transformuese të shekullit.

​Si një personazh që nuk pranon të mbetet brenda kornizave të komoditetit korporativ, viti 2024 solli kthesën e madhe në karrierën e saj. Pas lançimit të suksesshëm të modelit inovativ GPT-4o, në shtator të vitit 2024, Mira Murati njoftoi largimin e saj të bujshëm nga OpenAI. Ky vendim erdhi si një akt çlirimi krijues dhe reflektimi të thellë. Ajo deklaroi se largimi bëhej për t’i krijuar vetes kohë dhe hapësirë për kërkime të pavarura.

​Sot, largimi i saj merr një kuptim të ri. E çliruar nga strukturat e vjetra, Mira Murati ka nisur projektimin e një sipërmarrjeje të re të pavarur në fushën e Inteligjencës Artificiale. Ajo po ngre një kompani të re që synon ndërtimin e modeleve të IA-së të bazuara në sigurinë, etikën dhe efikasitetin e lartë. Ky hap e zhvendos atë nga roli i një ekzekutiveje të lartë në atë të një themelueseje sovrane, duke tërhequr vëmendjen e investitorëve më të fuqishëm të globit dhe duke rikonfirmuar statusin e saj si një lidere autonome e teknologjisë globale.

​Përtej zotërimit teknik, Mira Murati mbetet një zë i fuqishëm dhe avokate e paepur e përdorimit etik të teknologjisë. Në një botë të magjepsur pas kodit dhe algoritmeve, ajo ka predikuar vazhdimisht nevojën për rregullimin e kësaj fushe, duke kërkuar që zhvillimet teknologjike të mos funksionojnë në vakum moral, por të jenë në shërbim të njerëzimit me transparencë dhe barazi.

​”Teknologjia nuk duhet të jetë vetëm një produkt i inovacionit të ftohtë teknik, por edhe i një reflektimi të thellë human e moral.” do të kumtone Mira Murati.

​E përkushtuar, vizionare dhe me një qetësi stoike përballë presioneve globale, ajo përfaqëson më së miri atë elitë intelektuale që, ndonëse operon në qarqet më të larta të botës, ruan një lidhje të pathyeshme me dimensionin human.

​Suksesi i Mira Muratit nuk është një aksident i historisë, ai është një përgjigje ndaj saj. Qyteti i saj i lindjes, Vlora, mbart në kujtesën e vet kolektive një histori të dyfishtë, e ngarkuar me dritën e lirisë, por edhe me hijet e eksodeve biblike, të ikjeve të dhimbshme dhe tragjedive që lanë gjurmë të thella në shpirtin shqiptar gjatë viteve ’90. Prej atyre brigjeve u larguan me mijëra, me sytë nga perëndimi dhe me ankthin e mbijetesës.

​Në këtë kontrast të skajshëm mes rrënjëve dhe largësisë lindi dhe u formua Mira Murati. Ajo nuk iku për t’u asimiluar në harresë, por për të sfiduar kufijtë e të mundshmes. Ëndrra e saj nuk u mbyt në dallgët e fatit të përbashkët, por u bë një urë e madhe që lidhi kujtesën e vendit të saj me horizontet e reja të njerëzimit.

​Në historinë e saj të jashtëzakonshme, ne shohim të përmbysur narrativën e dhimbjes. Ajo dëshmon se Vlora dhe Shqipëria nuk janë më thjesht sinonime të ikjes ekzistenciale, por djep i shpresave që rilindin larg për t’i dhuruar botës dritë dhe progres.

Mira Murati e ringjall qytetin e saj në një formë të re, si një metaforë të një Shqipërie sovrane që nuk rri më në dhomën e pritjes së historisë, por që ecën, mendon, krijon dhe sfidon të ardhmen me dinjitet të lartë intelektual. Ajo mbetet, pa dyshim, kapitulli më i ndritur i ëndrrës sonë moderne.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?