Miranda Rira i përgjigjet Ballës: Taulant të ka hyrë frika keq se as deputet nuk bëhesh
Ish-kryetarja e bashkisë së Prrenjasit, dhe kandidate e LSI-së për deputete, Miranda Rira thotë se Taulant Balla akuzon ish-kryetarët e Bashkive Cërrik dhe Prrenjas, pasi sipas saj, renditja e kreut të grupit parlamentar të PS-së në vendin e 8-të në listën e PS-së në qarkun e Elbasanit, e bën atë humbës ndaj dhe sulmon opozitën. Përmes një postimi në facebook, Rira nënvizon se Balla e ka marrë mandatin e deputetit 4 herë në këto zona dhe asgjë nuk ka bërë për to.
”Të ka hyrë frika dhe po të lëkundet toka nën këmbë sidomos në Librazhd dhe Prrenjas ku ke qenë deputet për 4 mandate dhe s’ke bërë asgjë për këto 2 bashki, veçse ju ke rrafshuar pyjet, ju ke marrë ujin, ju ke tharë Rrapunin, i ke mbushur me hece e tece. Drejtësia do të vendoset për ty në 25 Prill se ke diktuar dhe dirigjuar tërë tenderat dhe dallaveret e Elbasanit, dhe nje pastrues shkolle nuk hynte në punë pa kaluar nga ty. Me gjithë mashat e tua që përdor për të grumbulluar vota për emrin tënd, ti edhe vetë e di që kësaj radhe jo vetëm ministër, por as deputet nuk bëhesh dot”,-shkruan Rira në facebook.
Postimi i plotë
Taulant Balla, i mbërthyer me frikën e humbjes dhe i vendosur me dhunë i teti në listën e qarkut të Elbasanit, ka përmendur e akuzuar sot 2 ish-kryetarët e bashkive Prrenjas dhe Cërrik. Duke justifikuar mbështetjen asokohe të këtyre 2 bashkive, Taulanti harron se edhe 5 ish-kryetarët e tjerë të PS të Qarkut Elbasan, u zgjodhën edhe me votat e LSI-së!
Taulant të ka hyrë frika keq se je larg listës fituese! Kësaj radhe je jashtë parlamentit! Ke mbjellë kaq shumë mashtrime e tokë të djegur dhe ke bërë kaq shumë zullume, saqë votuesit e qarkut të Elbasanit mezi presin të të ndëshkojnë me votë!
Të ka hyrë frika dhe po të lëkundet toka nën këmbë sidomos në Librazhd dhe Prrenjas ku ke qenë deputet për 4 mandate dhe s’ke bërë asgjë për këto 2 bashki, veçse ju ke rrafshuar pyjet, ju ke marrë ujin, ju ke tharë Rrapunin, i ke mbushur me hece e tece!
Në Gramsh ke bërë të njëjtën gjë me hecet, ku për pak desh e ktheve në Hec edhe kanionin e Holtës. Drejtësia do të vendoset për ty në 25 Prill se ke diktuar dhe dirigjuar tërë tenderat dhe dallaveret e Elbasanit, dhe nje pastrues shkolle nuk hynte në punë pa kaluar nga ty.
Me gjithë mashat e tua që përdor për të grumbulluar vota për emrin tënd, ti edhe vetë e di që kësaj radhe jo vetëm ministër, por as deputet nuk bëhesh dot. Më 25 Prill, Elbasani do t’i kthehet elbasanasve dhe intelektualëve të këtij qytet. Në 25 Prill, shteti do t’i merret pushtetit të kalbur të Rilindjes dhe do t’i kthehet sovranit.