Miranda Rira: Program konkret ekonomik për rritjen e punësimit. Bujqësia, sektori i zhvillimit

 

Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Përrenjasit znj. Miranda Rira ka vijuar takimet me banorët e këtij qyteti dhe rrethinave të tij.

E shoqëruar nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, z. Ilirjan Muho, znj. Rira u ndal zonën e Katjelit, ku ka dëgjuar shqetësimet dhe problemet e banorëve.

Znj. Rira, theksoi se ajo ka hartuar një program konkret ekonomik që do të bëjë të mundur uljen e varfërisë, rritjes së punësimit dhe shërbimeve.

“Gjatë gjithë kësaj kohe së bashku me stafin tim kam qenë në shumë fshatra në shumë lagje dhe jam njohur me shumë probleme ekonomike, varfëri, papunësi, pa shkolla, pa çerdhe, pa rrugë, pa ujë, ndaj dhe ne për këtë arsye kemi një program të qartë ekonomik që do të zbatohet hap pas hapi ku do të çojë në rritjen e punësimeve dhe uljen e varfërisë. Katjeli është një zonë kodrinore, që do të thotë bujqësia është kryesorja. Do të të mbështesim bujqësinë me grande falas për të gjithë ata që duan të investojnë në vreshtari, blegtori, të gjithë ata që duan të ndërtojnë një baxho për grumbullimin e produkteve. Këtu në Katjel mungon uji i pijshëm, rruga si dhe kanalizimet e ujërave të zeza. Dua t’ju garantoj sot, se sot do të lidh kontratën sociale që sapo të marrim bashkinë, do të filloj me zgjidhjen e tyre në mënyrë të menjëhershme. Ne tani në Përrenjas do të ndërtojmë një plan urbanistik ku do të ndryshojë komplet fytyra e këtij qytetit”, – u shpreh znj. Rira.

Gjatë bisedimit me banorët e Katjelit, kandidatja e ASHE, znj. Miranda Rira vuri në dukje se do të bëjë të mundur nxitjen e punësimit për gratë përmes biznesit fason. Ndërsa specifikoi se do të ndërtohet një linjë autobusësh në Katjel, znj. Rira sqaroi se të ardhurat e baskisë do të përkthehen në investime si në infrastrukturë dhe në ujësjellës-kanalizime.

“Do të ndërtojmë një park autobusësh ku linjë do të ketë dhe për këtu në Katjel. Si grua që jam do të punësojmë gratë duke hapur biznese fasone. Do të vëmë në jetë shkollën profesionale për të gjithë të rinjtë që do të marrin një profesion dhe më pas të punësohen. E pranova këtë sfidë për të ardhur në vendlindjen time për të qenë krah jush dhe në shërbimin tuaj 24 orë në ditë. Ju jap fjalën se do t’ju pres në zyrën time dhe jo nëpër kafenetë e qytete. Pra, ne kemi një platformë të qartë ekonomike ku dhe të ardhurat e bashkisë do të jenë edhe më të mëdha dhe do t’i përkthejmë më shumë investime si në infrastrukturë, në ujësjellës-kanalizime ku në disa raste urgjence do të ndërhyjmë që në 6-mujorin e parë”, – u shpreh znj. Rira.

Ajo shtoi se 21 qershori është dita kur qytetarët e Përrenjasit duhet të vendosin për më shumë punësim dhe shërbime për ta. “Unë kam marrë këtë sfidë dhe jam e vendosur për ta çuar deri në fund për të rritur mirëqenie e qytetarëve të vendlindje time dhe jo thjesht për ta marrë bashkinë. Ndaj unë ju kërkoj që ta shihni programin tim dhe më pas të më votëbesoni të më vinë në provë se çfarë jam e zonja të bëj. Nëse unë mbas datës 21 nuk filloj të përmbush të gjitha ato që kam premtuar, atëherë ju keni të drejtën që të më kërkoni llogari për të gjitha. Ndaj dhe një herë do doja shumë që të zgjidhni drejtimi e duhur për Përrenjasin që të gjithë bashkë t’i japim atij atë çfarë meriton”, – përfundoi znj. Rira.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Edmond Haxhinasto nënvizoi se me reformën e re administrative-territoriale, bashkia e re e Përrenjasit do të ketë më shumë kompetenca dhe për rrjedhojë do të shtojë edhe shërbimet për qytetarët.

“Bashkia e Përrenjasit do të jetë një bashki e madhe. Tashmë ajo do të ketë më shumë kompetenca si në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, bujqësi, që do të rrisin ekonominë. Miranda i ka vënë një objektiv kryesor në programin e saj atë të punësimit dhe përmirësimit të jetës. Miranda Rira e njeh shumë mirë këtë zonë dhe së dyti ajo e ka të qartë objektivin se çfarë duhet të bëjë me politikat e saj. Do të mbështesë të gjithë ata të rinj që duan të marrin një zanat në mënyrë që më pas të kenë mundësi punësimi Përrenjasi është stacioni kryesor i korridorit të tetë dhe si i tillë ne do të bëjmë të mundur një pikë logjistike. Bujqësia e kësaj zone do ketë një mbështetje që të zhvillohet dhe si e tillë ne kemi politika të mirëpërcaktuar dhe të mirëfillta në qeverisjen tonë. Vetëm në bujqësinë ku vlera e prodhimit duhet me patjetër që të dyfishohet në mënyrë që dhe fermerët të ketë koston e fitimit të vetë. Prandaj, Miranda është një njeri këmbëngulës, një njeri që bën sakrifica, një njeri punëtore dhe një njeri që i njeh mirë hallet e fshati”, – shpjegoi z. Haxhinasto.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave, z. Ilirjan Muho theksoi se është e rëndësishme zgjidhja e çështjes së regjistrimit të tokave.

“Jam sot këtu në komunën e Rrajcës për t’u njohur nga afër me problemin tuaj të regjistrimit të tokave, një problem ky shumëvjeçar. Unë jam shumë i hapur të dëgjoj çdo shqetësim tuajin dhe me të njëjtën dëshirë do t’ju kthej dhe përgjigje. Komuna Rrajcë është një nga komunat më me probleme për sa i përket regjistrimit të tokave dhe dhënies së tapive të tokave. Por, ajo që unë dua të bëjë me dije është se qeveria shqiptare regjistrimin e tokave e ka një ndër pikat më kryesore të prioritetit të saj për të realizuar regjistrimin e tyre për të gjitha rrethet pasi ky nuk është një problem vetëm këtu në Rrajcë, por dhe në rrethet e tjetra ka probleme për arsye të mbivendosjes. Ne sapo kemi bërë një marrëveshje me Bankën Botërore pikërisht për këtë çështje, e cila do të ndjekë këtë proces”, tha z. Muho.

Gjithashtu, z. Muho garantoi banorët e qytetit të Përrenjasit se së shpejti do të marrë fund kalvari i gjatë i këtij problemi dhe se të gjithë banorët do të pajisen me certifikata pronësie sa më shpejt të jetë e mundur.

SHKARKO APP