Miratohen imazhet e reja, pamje “horror” në paketat e cigareve (FOTO)

Miratohen imazhet e reja në paketimet e duhanit në Shqipëri që vijnë si pjesë e forcimit të ligjit të ri ‘Për mbrojtjen e Shëndetit nga produktet e duhanit’ për të ndërgjegjësuar njerëzit mbi efektet negative të duhanpirjes. Imazhet e reja që do të përfshihen në paketimet e duhanit, janë më të ‘frikshme’ dhe do të zënë me tekst dhe figurë 65 % të faqes ballore dhe asaj të pasme të paketës, pikërisht për të parandaluar pirjen e tij dhe ulur numrin e duhanpirësve duke i ndërgjegjësuar në lidhje me dëmet që shkakton ai.

Imazhet e reja u miratuan më 19 shkurt nga Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit. Imazhet u morën me leje përdorimi nga Austria dhe Kanadaja, pasi imazhet që janë miratuar për përdorim nga BE , kanë të drejtë të publikohen vetë në vendet anëtare.

“Ne propozuam që të përdornim imazhet që përdoren në Bashkimin Europian, por nuk ishte e mundur për shkak se lejohet vetëm për vendet anëtare. Ndaj hulumtuam dhe morëm miratim nga Australia dhe Kanadaja për të përdorur fotot paralajmëruese në paketimet e duhanit. Paralajmërimet e kombinuara tekst dhe figurë do të zënë 65% të faqes ballore të paketimit të duhanit dhe po ashtu të faqes së pasme, duke zbatuar Direktivën 2014/40 EU”, tha Manastirliu gjatë drejtimit të mbledhjes.

Këto imazhe do të vendosen në paketat e cigareve dy vite pas miratimit, për t’i lënë kohën e nevojshme biznesit për të bërë ndryshimet e duhura në paketimin e duhanit, ndërsa zbatimi i ligjit të ri do të ndiqet me rigorozitet nga institucionet e ngarkuara për këtë çështje si ISHP,ISHSH, grupet e inspektimit, inspektorati i punës, drejtoritë e taksave, inspektoratet arsimore dhe policia. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive do të ndërmarrin një fushatë komunikimi për dëmet që shkakton duhanpirja.

SHKARKO APP