Miratohet projektligji për buxhetin e vitit 2016, bie propozimi për hetim ndërkombëtar i CEZ

 

Prej më shumë se 14 orësh diskutime me akuza dhe kundër akuza, deputetët e Kuvendit votuan projektligjet e rendit të ditës si dhe ato të një dite më parë. Në momenin e votimit, në sallë ishin 125 deputetë gjë që plotësoi kuorumin e nevojshëm. Projektligji për buxhetin e vitit 2016 u miratua në parim pasi mori 84 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim ndërsa të njëjtin fat nuk e kishte edhe hetimi ndërkombëtar i CEZ. Kjo pikë e rendit të ditës nuk u miratua pasi 52 ishin kundër dhe vetëm 63 pro, ndërsa një abstenoi. Me 85 vota pro, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjet “për akcizat”, “për taksat kombëtare”, “për sistemin e taksave vendore”  dhe “për mbledhjen e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.
Po ashtu, me nga 85 vota Kuvendi miratoi shtesën në ligjin “për sigurimet shoqërore” dhe në atë “për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”.
Kuvendi gjithashtu miratoi me 85 vota pro ligjin“për punëkërkuesit” dhe me 79 vota atë “për trajtimin e pronës”. Me shumicë të cilësuar u votuan Kodi i Familjes që mori 86 vota pro, Kodi Penal që mori 84 vota pro dhe Kodi i Punës 85 vota pro.  Në fund, u bë edhe votimi për anëtarët e KQZ-së, Edlira Jorgaqi, që ishte propozim i maxhorancës, dhe Klemnet Zgurit, propozim i opozitës. Pasi morën votat e mjaftueshme, ata u betuan edhe para deputetëve të Kuvendit.

SHKARKO APP