Miratohet projektligji për kredinë 174 mln euro nga FMN, ja sa do të jetë interesi

Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe Ekonomisë miratoi marrëveshjen e huasë me Fondin Monetar Ndёrkombёtar nёpёrmjet instrumentit tё financimit tё shpejtё (RFI), për marrjen e hua-së nga FMN në vlerën e 139.3 milionë SDR (monedhë e fortë, e drejta e tërheqjes speciale), ose rreth 174 milionë euro.

Në fillim të muajit prill, Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi 190.5 milionë dollarë mbështetje emergjente për Shqipërinë nën Instrumentin e Shpejtë të Financimit (RFI) për të përballuar nevojat urgjente të bilancit të pagesave që rrjedhin nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 dhe pas tërmetit të fortë që goditi vendin më parë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj e pranishme në Komision tha se objektivi i përgjithshëm është sigurimi i një pjese të nevojave për financim të buxhetit të shtetit për vitin 2020, nevoja të shtuara jashtë parashikimeve fillestare për shkak të goditjes nga COVID-19.

“Për miratimin e huamarrjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, dhe për një fond që shkon në 139 milionë SDR, një monedhë e fortë e thënë ndryshe një monedhë që ka një qëndrueshmëri ndaj kursit të këmbimit, e cila është lëvruar dhe ka krijuar një masë shumë të mirë në likuiditetin për bilancin e pagesave për Republikën e Shqipërisë. Norma bazë e interesit, me gjithë tarifat shtesë e çon normën e interesit në 4.05%. Afati për maturitetin e kredisë do të jetë nga 3.5 deri në 5 vite”, deklaroi Denaj.
Kjo vlerë monetare përveçse është arkëtuar në arkën e shtetit është përdorur edhe rreth 90 milionë SDR prej saj.

“Është arkëtuar ndërkohë që ne flasim pasi procedurialisht nuk ka pasur probleme, që ky fond të hyjë në llogarinë e thesarit dhe pjesërisht të përdoret. Është përdorur 90 milionë SDR nga 139 milionë që ishte, ka shkuar për pagesat, për të cilën edhe u mor”, shtoi Denaj.

Nga ana tjetër Denaj njoftoi se në fillim të qershorit do të dilet në tregun ndërkombëtar për eurobondin e ri, që pritet të jetë në vlerën e 650 mln euro.

“Edhe më herët e kemi theksuar dhe besoj se do të jemi shumë afër përgatitjes finale të një akti normativ të ndryshimit të buxhetit për herë të 3 që do të prezantohet në fund të qershorit kur edhe shifrat të jenë përfundimtare për muajin maj dhe të merren në konsideratë. Kjo do ta zgjeronte më tej nevojën për financim pasi do të zgjeronte deficitin buxhetor, megjithatë jemi ne pozitat e financimit”, u shpreh ministrja

SHKARKO APP