Miratohet ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike
Në seancën plenare të ditës së sotme u miratua projektligji “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike”
Ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit nga ana e vendit tonë është hapi kryesor drejt zbatimit të saj, për të luftuar ndryshimet klimatike si edhe për rakordimin e veprimeve dhe investimeve drejt një të ardhme me karbon të ulët, të qëndrueshme dhe përmirësim të aftësive ripërtëritëse në nivel global.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit vjen pas një sërë hapash të ndërmarrë nga Ministria e Mjedisit në vecanti dhe qeveria shqiptare në përgjithësi. Republika e Shqipërisë, miratoi dokumentin e Kontributit Kombëtar të Synuar – INDC dhe e dorëzoi atë para afatit me 24 Shtator 2015. Më pas Këshilli i Ministrave miratoi në parim Marrëveshjen e Parisit në Mars 2016 ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga delegacioni shqiptar më 22 Prill 2016 në New York.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Parisit e lidh vendin tonë me disa detyrime ndër të cilat zbatimi të detyrueshëm të Kontributit Kombëtar të Pikësynuar (INDC), pas vitit 2020 në nivel ndërkombëtar dhe rishikimi çdo 5 vjet i INDC-së me qëllim dhënien e kontributit shqiptar në zbutjen e ndryshimeve klimatike
Kontributi Kombëtar i Pikësynuar i hartuar nga Ministria e Mjedisit mbulon sektorin e energjisë dhe sektorin e proçeseve industriale. Në këtë kuadër si vend kandidat i BE-së, Shqipëria ka miratuar disa ligje në sektorin e energjisë si dhe ka në proces miratimi të tjera projektligje.
Ndërkohë Ministria e Mjedisit me mbështetjen e donatorëve është duke i paraprirë këtij proçesi nëpërmjet hartimit të dokumentave strategjikë dhe kuadrit ligjor për ndryshimet klimatike ku përmendim Strategjinë për Ndryshimet Klimatike dhe Plani i veprimit për reduktim të gazeve me efekt serrë; Projektligjin për Ndryshimet Klimatike si dhe një projektvendim të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e një sistemi monitorues, verifikues dhe raportues për shkarkimet e gazeve me efekt serrë. Ndërkohë Ministria e Mjedisit lancoi në fund të muajit qershor Planin Kombëtar për Adaptim ndaj Ndryshimeve Klimatike- NAP.
Pakti global i arritur në Paris parashikon strategjinë afatgjatë për mënyrat si shtetet do përballojnë ndryshimet klimatike. Ai synon të pakësojë ndjeshëm rreziqet dhe ndikimet nga ndryshimi i klimës., kufizimin e emetimeve të gazeve me efekt serrë në atmosferë, si dhe qëllimin final për mbajtjen e ngrohjes globale nën 2 gradë Celsius, me objektivin ambicioz që të mbahet në 1.5 gradë Celsius. Angazhimet e vendit tonë për reduktimin e emetimeve të Gazeve me Efekt Serrë janë përfshirë në dokumentin e miratuar të INDC-së sipas te cilit, Shqipëria synon një reduktim prej 11.5% e deri në vitin 2030.
Projektligji “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike” është në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në harmoni me Konventat ndërkombëtare.

