Miss World 2018 në ishujt tropikal të Kinës, bukuroshja shqiptare “rrëmben” vëmendjen

Vajzat e Miss World 2018 ndodhen në një nga ishujt tropikal në Sanya të Kinës, dhe sigurisht që bukuroshja nga Lezha, Nikita Preka përfaqësuesja e Shqipërisë ndodhet atje.

Teksa ka rrëfyer për “Koha Jonë” përshtypjet e saj mbi Sanyan, Nikita shprehet: “Unë kam udhëtuar në shumë shtete të botës, por ishulli i Sanyas është ndryshe nga të gjitha vendet tropikale që kam vizituar. Këtu ndërthuret klima me bukurinë natyrore dhe mikpritjen e ngrohtë nga vendasit. Jam e mahnitur nga bukuria e vijës bregdetare këtu në Sanya”.

“Në Sanya vijnë çifte nga e gjithë bota, veçanërisht të realizojnë videot dhe fotot e dasmave. Të gjithë ndjehemi të mirëpritur, vendasit gëzohen shumë kur takojnë vajzat që përfaqësojnë Shqipërinë, pasi duket se kanë konsideratë të lartë për Shqipërinë”, shprehet më tej Nikita.

Këto ditë Miss World 2018 ka bërë disa aktivitete dhe zyrtarisht kanë nisur provat e natës finale, e ndërkohë Nikita na zbulon një surprizë. Ajo tregon se nata finale do të hapet me një kërcim nga vajzat konkurrente.

Vajzat po ashtu këto ditë kanë patur mundësinë të vizitojnë disa vende te Ishullit, të takojnë vendasit dhe të familjarizohen me kulturën e tyre.

 

SHKARKO APP