Misteri në Kavajë, 31-vjeçari u vetëvra apo e vranë?

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja në komisariatin e Kavajës. Ekspertiza mjeko ligjore zbuloi se 31-vjeçari Ilvi Meta nuk është dhunuar, por ka ndërruar jetë nga asfiksia. Ai dyshohet se është vetëvarur me rripin e kapuçit të bluzës që kishte veshur.

Babai i të ndjerit hedh akuza ndaj Policisë. Agim Meta thotë se nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për djalin e dekur nën ruajtjen e policisë.

Arben Meta, djali i xhaxhait të 31-vjeçarit, ka rrëfyer momentet kur ka parë trupin e të ndjerit. Përmes një prononcimi të dhënë për media, Arbeni thotë se kushëriri i tij ishte i buzëqeshur në momenti që kishte ndërruar jetë dhe se kishte shenja mbytje në qafë.

Për këtë ngjarje në pranga ka rënë nën komisari Betrit Berhamaj dhe inspektorët Bexhet Beriberi dhe Reshit Kola. Dyshohet se punonjësit e policisë nuk zbatuan procedurat standarte të trajtimit të personave të ndaluar, duke e lejuar të mbante rripin me të cilin kreu vetvrasjen.

Ndërsa sot në orën 20:00, të rinjtë e Kavajës do të ndezin qirinj pranë komisariatit të Kavajës, në shenjë nderimi dhe solidariteti.

Rasti i Ilvi Metës në Kavajë rikthen edhe një herë në qendër të vëmëndjes sigurinë në komisariate. Një muaj më parë një i arrestuar humbi jetën si pasojë e një zjarri në komisariatin e Kamzës. Ngjarja po merr edhe ngjyrime politike.

SHKARKO APP