“Mit’hat Frashëri i aneksuar, fëmijëve u mësoni luftën e klasave”, ministrja Shahini përgjigjet në interpelancë

Sot në Kuvend deputeti Artur Roshi ka kërkuar një interpelancë me ministren e Arsimit, Besa Shahinin, të cilës i ka adresuar disa pyetje konkrete. Ai kërkon të dijë se cilat ishin kriteret e përzgjedhjes së mësuesve, librave shkollorë dhe jashtëshkollorë, se çfarë masash janë marrë për zhdukjen e analfabetizmit, si edhe pse disa prej figurave të historisë nuk pasqyrohen siç duhet në librat e shkollës, një prej tyre Mid’hat Frashëri. “E kërkoj interpelancën si domosdoshmëri për raportin e historisë që ka në libra krahasuar me të vërtetën fatale që nuk e mësojnë dot historinë për shkak të konkurencës politike, kur ju PS apo PD është në pushtet”,- tha Roshi.

Në përgjigjen e saj, ministrja Besa Shahini u përgjigj: “Që nga viti 2014 mësuesit emërohen nga portali. Kriteret për mësuesin janë të qarta. Përveç bachelorit masterit, duhet të ketë praktikën dhe licensën e mësuesit. Për kriteret shtesë janë gjuha e huaj, trajnime shtesë dhe më e rëndësishmja është nota mesatare me të cilat ka mbyllur shkollën. Sot zyrat arsimore mbështetin mësuesit për të zbatuar kurrikulën. Një politikë tjetër janë edhe kriteret, në notën mesatare për mësuesit në gjimnaze. Janë bërë ndryshime në kurrikulën e re. Gjuha shqipe dhe letërsia zënë sot 8 deri në 9 orë në javë.

Në shkollat e mesme është kthyer lënda e gjuhës shqipe. Kemi ndryshuar edhe kriteret për librat jashtëshkollor. Kemi bërë edhe një sondazh me nxënësit për marrë vesh librat që duan të lexojnë. Tekstet natyrisht që përmbajnë të vërteta historike. Për mua është shqetësuese që në 30 vjeçarin e fundit nuk e trajtojmë në histori. Është shumë e rëndësishme të adresohen këto tema. Pse nuk pasqyrohet Mid’hat Frashëri në librat historik? Është trajtuar çdo figurë historike, kjo figurë zë vende në tekste të ndryshme. Pra nuk është anash si figurë, i është dhënë vendi i merituar. Keni parasysh për herë të parë në gjimnaz filozofikë, e kemi si lëndë që në klasën 11-të dhe jo si lëndë me zgjedhje. Sa i përket drejtimit të makinës, ne japim mësime për kodin rrugor, për sigurinë rrugore. Emrat e institucionet arsimore, me këto merren këshillat bashkiakë. Nëse doni të ndryshoni ndonjë emër drejtohuni në këshillat bashkiakë”.

“Po ju mësoni fëmijëve sërish luftën e klasave. Nuk ka asnjë shkollë me emrin e Mid’hat Frashërit pavarësisht kontributit të tij të paharrueshëm”, tha Roshi nga ana tjetër.

SHKARKO APP