Mitsotakis: Nuk mund ta ndalonim takimin e Ramës me emigrantët, koha që zgjodhi jo e përshtatshme

Për kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, takimi i Ramës me emigrantët shqiptarë në Athinë është diçka normale. Gjatë një interviste për televizionin “Alfa”, tha se nuk ka pasur asnjë pengesë nga pala greke. Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë takimin me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi këtë të diel, në orën 11:00 në “Galatsi” të Athinës.

“Greqia është një vend demokratik. Askush nuk mund të pengojë një udhëheqës të huaj që të zhvillojë një vizitë private e të flasë me bashkatdhetarët e tij. Mbase çështja mori përmasa më të mëdha se ç’duhej të kishte”, tha Mitsotakis.

Ai nuk ka lënë pa shprehur pakënaqësinë e tij për kohën që ka zgjedhur homologu shqiptar për të zhvilluar takimin në Athinë. “Nëse më pyesni nëse koha e kësaj vizite, pak javë para zgjedhjeve europiane dhe në një moment kur kemi disa çështje të hapura që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri, është e përshtatshme. Do u përgjigjesha që nuk është koha e përshtatshme, por kaq, nuk duhet t’i japim më shumë rëndësi kësaj çështje”, shtoi Mitsotakis.

SHKARKO APP