Mjekët e infermierët që shërbyen në Itali përfituan 307 mijë lekë bonus, po këto në Shqipëri?

Në Shqipëri, në spitalet shtetërore, për 2020 janë trajtuar 270 personel mjekësor dhe jo mjekësor me bonus për Covid-19.

Vlera e bonusit të dhënë për çdo mjek dhe infermier ka qenë 283,000 lekë nga 636,000 lekë që ishte parashikuar. Fondi i shpërndarë është në vlerën e 76,472,000 lekëve. Për bonusin prej 636,000 lekë për 270 mjekë dhe infermierë, Ministria e Shëndetësisë kishte parashikuar të disbursonte rreth 132 mln lekë. Të dhënat bëhen të ditura në raportin vjetor të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2020.

Në 2020, kostoja për dhënien e bonusit për një mjek dhe infermier të dërguar jashtë vendit për shkak të pandemisë nga Covid-19 ishte 307,000 lekë, sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë. Për vitin 2020 në Itali janë dërguar 60 mjekë dhe infermierë në ndihmë të situatës të përkeqësuar shëndetësore në shtetin fqinj. Shpenzimet faktike për dhënie bonusi janë 18,4 mln lekë.

Në fillim të pandemisë, Ministria e Shëndetësisë parashikoi të shpenzonte 30 mln lekë për dhënie bonusi, nëse do të dërgonte 1,150 mjekë dhe infermierë jashtë vendit. Parashikohej që kostoja për njësi sipas planit të rishikuar të ishte 26,000 lekë.

Në total, bonusin e Covid-19 me vlerë 283 mijë deri 300 mijë lekë e përfituan 330 mjekë dhe infermierë që shërbyen brenda dhe jashtë vendit. Totali i fondit të shpërndarë është 95 mln lekë.

Një vit më parë, në muajin prill, në Itali shërbyen 60 infermierë dhe mjekë shqiptarë. Grupi i parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh shërbeu për një muaj në spitalet e Breshias, një akt solidariteti që u vlerësua nga Italia.

“Reanimatorët kanë filluar punë në reanimacion, ndërsa unë me gjithë doktoreshën tjetër jemi tek repartet e COVID subintensiv, në repartet e pneumologjisë. Ndërsa doktoresha që vinte nga Instituti i Shëndetit Publik është tek tamponët me gjithë dy mjekë të tjerë. Ndërsa dy mjekë janë vendosur në triazhim. Edhe infermierëve u kanë përcaktuar vendet dhe po i pajisin me veshjet e duhura dhe nga nesër do të fillojnë shërbimin”, do të shprehej më herët Ermal Pashai, një nga mjekët e dërguar në Itali në misionin humanitar në lidhje me ministren e Shëndetësisë./Monitor

SHKARKO APP