Mjekët të papërfaqësuar/ Sindikata kërkon të drejtë vendimmarrje, Stroni: Konfederata inekzistente
Sindikata e punonjësve të shërbimit shëndetësor kërkon të ketë të drejtë vendimmarrje në institucione. Kreu i saj, mjeku Gent Stroni thotë se megjithëse ekziston një Konfederatë, ajo duket sikur është inekzistente dhe se prej saj nuk janë përfaqësuar.
Pas një viti tejet të vështirë në pandemi, ku veç ngarkesës së punës disa prej bluzave të bardha humbën jetën nga infektimi në krye të detyrës, Sindikata thotë se katër kërkesat drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë marrë zgjidhje.
“Janë në nivelin e tyre më pak të përfaqësuar në aspektin e pandemisë dhe problemeve që pandemia ka dhënë. Kemi të bëjmë me një pjesë mjekësh që fatkeqësisht kanë humbur jetën, shumë të tjerë janë infektuar dhe përfaqësimi i tyre do të duhet të ishte në radhë të parë në ndihmesë të këtyre mjekëve”.
Në një kohë kur ndaj punonjësve të sistemit shëndetësor duhet të ketë më shumë vëmendje dhe mbështetje, mjeku Gent Stroni, thotë se ata ndihen të papërfaqësuar nga Konfederata, duke e konsideruar atë si inekzistente.
“Gjatë asaj periudhe kohore, tetori i vitit të kaluar, kjo Sindikatë bashkëpunoi me Ministrinë për të bërë të mundur zgjidhjen e këtyre problemeve. Ligji në fakt nuk e lejonte sepse në kontratën e lidhur me Ministrinë ka qenë një tjetër Sindikatë, Konfederata, por ne nuk pamë dorën e kësaj Konfederate”.
Në muajin shkurt, kjo Sindikatë depozitoi dokumentet e nevojshme në Ministrinë e Shëndetësisë për tu njohur prej saj, por u kualifikua e dyta pas Konfederatës, e cilka në fakt nuk përfaqësohet nga ekspertë të fushës.
/Ora News