Mjekja italiane që thoshte se koronavirusi “është grip i thjeshtë” del me tjetër teori
Maria Rita Gismondo, Drejtoreshë e mikrobiologjisë klinike, virologjisë dhe diagnostikimit në Milano shkaktoi reagime të ashpra të kolegëve të saj një muaj më parë. Mjekja ishte nga ata “ekspertë” që thoshte çdo ditë se koronavirusi është një grip i thjeshtë. Në shkurt, kur plasi epidemia, Maria Rita Gismondo deklaroi se nga gripi normal në Itali vdesin 20 mijë vetë në vit dhe koronavirusi është më pak i rrezikshëm.
Italia po shkon drejt numrit 6 mijë të viktimave nga koronavirusi dhe Shoqata e Mjekëve Profesionistë ka dalë dje me një deklaratë ku u kërkon bluzave të bardha të mos bëjnë deklarata ta papërgjegjshme. Duke ju referuar rastit të Maria Rita Gismondo, Shoqata e Mjekëve thotë se asnjë prej bluzave të bardha nuk duhet të shpreh opinionet personale, pa ju referuar studimeve dhe të dhënave shkencore lidhur me koronavirusin.
Por sot mjekja që ka shkaktuar shumë debate në Itali ka dalë me një tjetër qëndrim për të justifikuar vdekjet e shumta nga koronavirusi. “Coronavirus Sars-CoV-2 mund të ketë pësuar mutacione”. Kjo është hipoteza e parashtruar nga drejtoresha e Laboratorit të mikrobiologjisë klinike, virologjisë dhe diagnostikimit të bio-emergjencave të spitalit Sacco në Milano.
Gismondo shprehet “në Lombardi, ka diçka që nuk e kuptojmë. Janë kapërcyer vdekjet e Kinës në një zonë shumë më të vogël dhe në më pak kohë.Po ndodh diçka e çuditshme. Në Lombardi ekziston një agresion i pashpjegueshëm i virusit. I bëj një apel komunitetin shkencor le të bashkohemi për të kuptuar. Nëse të gjithë bashkohemi dhe studiojmë një pjesë të saj, me siguri do të jemi në gjendje ta kuptojmë”. KJ