Mjekja shqiptare flet nga Hanoveri: Ftohtësia e gjermanëve ka ndikuar për mospërhapjen e koronavirusit

Aurora Meta mjeke urgjence, specialiste e mjekësisë  së familjes dhe psikoterapiste në një lidhje për Report Tv nga Hanoveri i Gjermanisë këshillon qytetarët që të merren me pasionet dhe familjen për menaxhimin e ankthit të shkaktuar nga koronavirusi.

Ajo gjithashtu foli edhe për situatën në përballimin e COVID-19 në Gjermani, ku tha se sistemi shëndetësor është gjithmonë i përgatitur jo vetëm për këtë situatë, por edhe në rast katastrofe natyrore ose edhe gjendje lufte, me 50% më shumë krevate dhe pajisje shëndetësore.

Për fatin e keq edhe në Gjermani është lancuar situata e jashtëzakonshme. Gjermania çdo muaj praktikon sistemin e alarmimit të popullsisë në rast katastrofe natyrore. Por këtë muaj sirenat e alarmit ishin të vërteta. Kemi një gjendje alarmimi si të një katastrofe. Në rrugët e Gjermanisë lëvizin tashmë vetëm njerëz që kanë një pozicion kyç për shërbimin e popullsisë.

Ne faktikisht jemi në një favor më të madh se sa në rastin e Italisë, e mbase edhe me vendet e tjera të europës, pasi kemi një sistem shëndetësor të përgatitur për rast katastrofe natyrore ose edhe gjendje lufte. Spitalet kanë një kapacitet me 50% më shumë sesa në gjendje normale, me shtretër dhe me pajisje shëndetësore.

Atë që quajmë ne se gjermanët janë të ftohtë, në këtë lloj rasti, në marrëdhëniet e tyre ndërnjerëzore, ftohtësia ka ndikuar pozitivisht për mospërhapjen e koronavirusit në krahasim me vendet e tjera.  Përsa i përket ankthit, menaxhimi më i mirë në këto momente është përdorimi i aktiviteteve fizike në shtëpi, ndjekja e hobit si muzika që pëlqen, piktura apo edhe vetëm të merren me fëmijët e tyre. Duhet të përpiqemi dhe ta heqim mendjen nga koronavirusi dhe të merremi me gjëra të përditshme, të cilat mbase edhe mund t’i kemi nënvlersuar deri më tani”, tha mjekja, Aurora Meta-Dollenberk.

SHKARKO APP