Mjekja Silvana Bala: Në Sanatorium kemi pacientë në gjendje të rëndë nga të gjitha grupmoshat
Silvana Bala, mjeke në spitalin “Shefqet Ndroqi” tha në një lidhje ‘live’ me News24 se aktualisht në spitalin COVID2 janë 150 persona të shtruar dhe situata është e menaxhueshme.
Ajo tha se janë 60 shtretër të lirë, ndërsa pacientët kanë kujdes të vazhdueshëm gjatë gjithë kohës dhe nuk iu mungon asnjë medikament. Bala tha se aktualisht një infermiere kujdeset për 5-6 të sëmurë.
“Sanatoriumi këto ditë nuk pret urgjencat e Tiranës. Paraqiten grupmosha të ndryshme, pacientë me gravitete të ndryshme. Siç janë paraqitur dhe janë thënë se të sëmurët që shtrohen në spital janë të sëmurë me COVID-19 në stad të moderuar dhe të rëndë. Janë nën kujdes jo vetëm gjatë ditëve të javës por dhe në fundjavë. Nuk iu mungon asnjë medikament, oksigjenoterapi, medikamente të suportit. Flas për një situatë të menaxhueshme në spitalin tonë.
Unë jam mjeke e pavijonit dhe të sëmurët në reanimacion ndryshojnë dhe nuk mund të flas për numrin e personave të intubuar. Situata është dinamike.
Janë rreth 60 shtretër të lirë, kapaciteti është 210 shtretër.
Pacientë në gjendje të rëndë ka nga të gjitha grupmoshat, të datëlindjeve 80, 70 por pjesën më të madhe të të sëmurëve e përbën mosha e tretë.
Personeli shëndetësor gjatë natës është i gjithi në punë dhe e përballon të gjithë punën e pacientëve.
Momentalisht tani kur kapaciteti nuk është aq i madh, një infermier mund të kujdeset për 5-6 të sëmurë”, deklaroi Bala.