Mjeku i Infektivit: Mos bëni panik, gripi stinor më i rrezikshëm
Shpërndarja e virusit kinez në Itali, ka shqetësuar Shqipërinë. Për të folur për këtë frikë që tashmë është shtrirë në të gjiothë botën, mjeku Pëllumb Pipero, nga reparti i Infektivit në QSUT, thotë se nuk duhet të ketë panik te qytetarët për koronavirusin, pasi ai është aleat me virusin në këtë situatë.
”Paniku është aleat me virusin, nuk ka arsye për panik. Është domosdoshmëri të kemi sa më shumë njohuri dhe të marrim masat e nevojshme, në përputhje edhe me përballimet e OBSH. Fakti që depërtoi kufijtë e Italisë, sado të sofistikuara të jenë masat, virusi mund të hyjë. E para, kemi shumë pak njohuri për të, e dyta, transformimi nga njeriu te njeriu është në fazën e inkubacionit. Koronavirusi shfaqet më rëndë te të moshuarit dhe tek ata me sëmundje kronike. Imuniteti i organizmit të njeriut ka të bëjë shumë. Këto i quajmë sëmundje të vetëshërueshme”,-tha në ”a2cnn”
Më tej, Pipero theksoi se rrezikshmëria është më e lartë nga gripi stinor se sa nga koronavirusi. ”Kambanat për koronavirusin bien sepse është virus i ri dhe ka shumë të panjohura, por vdekshmërinë e ka më të ulët se 2 përqind. Duke iu referuar shifrave, në të njëjtën periudhë, janë prekur më shumë persona nga gripi i zakonshëm. Rrezik më i madh për qytetarët është gripi stinor se koronavirusi”.