Mjeku i njohur: Rastet me koronavirus u dyfishuan brenda ditës, nëse nuk rrini në shtëpi i afrohemi skenarit italian!
Ndërkohë që brenda një dite janë dyfishuar rastet e të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, mjeku i njohur Pëllumb Pipero thotë se masat për mos daljen e qytetarëve duhet të jenë edhe më të rrepta.
Ai thotë se java që vjen do jetë vendimtare dhe nëse nuk zbatohen masat e qeverisë i shkojmë nga pas skenarit italian. Duke parë dyfishimin e numrit të të prekurve brenda një dite, ai thotë se kjo nuk është një gjë normale. Në këto kushte, të gjithë duhet të ndërgjegjësohen e të mbyllen në shtëpi, pasi vetëm kështu luftohet virusi.
“Pas çdo rasti të konfirmuar fshihen 10 apo 15 raste të tjera. Në këtë situatë pandemie dhe shtimit të rasteve të prekura u kërkojmë qytetarëve të jenë mirëkuptues dhe të ndjekin udhëzimet e qeverisë. Ne, mjekët, shohim vetëm majën e ajsbergut, ndërkohë që ISHP ndjek rastet e kontaktit, ne mjekojmë rastet që na vijnë. Java që nis është decizive për të parë edhe numrat, edhe për të parë efektshmërinë e masave të marra. E përsëris, nga ky virus askush nuk është i paprekshëm, pavarësisht se dikush ka apo nuk ka komplikacione. Numri i rasteve është dyfishur në një ditë, pra sa më shumë të mos zbatojmë masat aq më shumë shtohen të prekurit”,- tha Pipero.
Nëse sot nuk zbatojmë masat e nuk qëndrojmë në shtëpi i shkojmë nga pas skenarit italian, tha ai më tej.
“Minimalisht të qëndrojnë në shtëpi është shumë pak për të fituar shumë jetë njerëzish. Nesër do të jetë shumë vonë. Nesër i afrohemi një hap më shumë skenarit italian nëse nuk zbatojmë udhëzimet, por nëse qytetarët nuk na dëgjojnë, nuk kam ç’tju them më pastaj, Zoti na ruajtë!”- shtoi ai.