Mjeku shqiptar në Itali: Vala e dytë e COVID do të jetë më e lehtë, nëse ruhet distancimi! Ja pse po rriten rastet në Shqipëri
Mjeku shqiptar që punon në spitalin e Lodit në Itali, Alban Beltoja, foli në një lidhje me “Skype” për News24 lidhur me situatën që paraqitet nga koronavirusi.
Mjeku Beltoja tha se shifrat e fundit tregojnë se trendi është në rënie, por qytetarët duhet të tregojnë kujdes maksimal, pasi virusi tregoi se mund ta fusë çdo vend në kolaps.
I pyetur nëse mund të rikthehet vala e dytë edhe më agresive, mjeku u shpreh se mund të ketë valë të dytë, por mund të jetë më e lehtë, nëse zbatohet rregulli i distancimit social.
I trembeni rikthimit të koronavirusit?
Mjeku Beltoja: Ne të gjithë jemi të shqetësuar, por asnjë nuk ka siguri se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Përderisa nuk e kemi këtë siguri, nuk e di nëse virusi do të ketë agresivitet. Koeficienti i transmetimit të sëmundjes në Lombardi është nën shifrën 1, pra që një i sëmurë mund të infektojë më pak se 1 person. Numri i të infektuarve është i ulët dhe nuk ka raste të rënda. Në shkurt dhe në mars izolimi dhe distancimi nuk ishin të plotë, ndërsa tani kjo gjë nuk ndodh më. Në shumë vende të Italisë është shumica e popullsisë e prekur, që do të thotë se ka fituar imunitet.
Shifra 87 vdekje në 24 orë është shqetësuese?
Asnjë vdekje nuk është qetësuese, por trendi në ulje është në ulje. Ky trend do të vazhdojë, përderisa do të jemi rigorozë në zbatimin e masave të izolimit.
Në Shqipëri ishin 23 raste në 24 orët e fundit, virusi po prek dhe bluzat e bardha, si e komentoni?
E komentoj shkurtër fare, ulje e vigjilencës, e kujdesit, dhe ulje e masave mbrojtëse.
Thonë se virusi nuk është zhdukur, OBSH thotë se mund të ketë rikthim agresiv të virusit, ju si mendoni?
Në situatën që ndodhemi, mendoj se ardhja e stinës së ngrohtë, ku mundësia për të ndenjur jashtë është më e madhe, masat e distancimit, mbajtja e maskave, do bëjnë të mundur që të ketë një riinfeksion, por më të lehtë. Virusi e ka dhënë provën se mund të përhapet me shumë lehtësi dhe më të pambrojtur janë mosha e tretë.
Mund të rikthehet kolapsi?
Italia e provoi njëherë, nuk ka ndërmend ta provojë sërish. Për momentin distancimi është e vetmja mënyrë për të mbajtur nën kontroll virusin. Nuk shikoj tjetër gjë, virusi e dha provën e tij, nëse qarkullohet lirisht, është në gjendje të shkaktojë kolaps të vërtetë.
Nga analiza serologjike te mjekët, pjesa më e madhe kanë rezultuar negativë, si shpjegohet kjo?
Edhe këtu në Itali përqindja e bluzave të bardha të prekura është e njëjtë, te 15%. Kjo shpjegohet me respektimin rigoroz të rregullave. Ata që kanë qenë në vijën e parë janë mbrojtur me të gjitha mjetet, kanë ndjekur të gjitha hapat e duhura, kanë qenë të mbrojtur se nuk kanë rënë në kontakt me virusin.