Mjeku shqiptar: U infektova pasi vizitova një fëmijë

Në Maqedoninë e Veriut, Shkupi mbetet qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve, ku janë diagnostikuar gjithsej 261 raste, ndërsa pas tij vjen Kumanova, ku janë zbuluar 130 raste deri më tani. Në vetizolim janë 10 414 qytetarë. Arben Agolli, mjek në Dibër, është një prej personave që është infektuar me Covid-19 por për fatin e tij të mirë në testet e fundit ka rezultuar negativ pas 20 ditë qëndrim në shtëpi. Mësohet se ai ndodhet në fazën e fundit të rikuperimit ku duhet të qëndrojë në shtëpi dhe për 14 ditë.

“Unë jam mjek pediatër dhe si karakter jam njëri i gjallë dhe nuk rri dot në vend, por nuk kisha ccfarë bëjë isha i detyruar që të rrija në shtëpi. Nuk kam pasur asnjë lloj simptome. Jam infektuar gjatë vizitës së një fëmijë që ishte i prekur bashkë me prindërit”, tregon mjeku për Euronews Albania.

Nga ana tjetër ai tregon se mjekët i kanë rekomanduar një terapi që e ka ndjekur pavarësisht se nuk ka pasur simptoma. Përveç tij në familje ka qenë i infektuar dhe djali i tij, pasi një koleg i tij ka rezultuar i prekur. Apeli i tij është që të mos krijohet panik por të tregohen të përgjegjshëm dhe të mbajnë distancën sociale për të ruajtur shëndetin e tyre dhe të tjerëve.

SHKARKO APP