Mjeti bie në humnerë në Berat! Plagoset rëndë drejtuesi 33 vjeç, nxirret nga zjarrfikësit
Një aksident ka ndodhur mëngjesin sotëm në aksin rrugor Paftal-Mbreshtan, në ish-Njësinë Administrative Sinjë. Një mjet ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “Kthesa e përroit” ndërsa zbriste nga fshati Mbreshtan dhe ka rënë në humnerë. Ka qenë një banor i zonës, i cili ka lajmëruar policinë dhe repartin zjarrfikës.
Pas njoftimit, në vendngjarje ka shkuar menjëherë skuadra e MZSH-së, e cila ka bërë të mundur nxjerrjen nga mjeti të drejtuesit, duke e nisur atë drejt Spitalit Rajonal Berat. Sipas burimeve spitalore drejtuesi mjetit është duke marrë mjekime në Repartin e Kirurgjisë dhe gjendja e tij është e rëndë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se i dëmtuari me inicialet S.T. është 33-vjeç dhe është nga fshati Paftal. Mendohet se shkaku i aksidentit të ketë qenë moti i lagësht dhe shpejtësia.
Informacion paraprak
Sot, në aksin Rrugor, Berat-Sinjë, në fshatin Mbreshtan shtetasi S.T, duke drejtuar automjetin ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë.
Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i mjetit i cili është shoqëruar në Spitalin Rajonal Berat. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.