Moda e maskave, boom kërkesash për ato tekstile, nga nesër me detyrim

Nëse në farmaci interesi i qytetarëve për maska nuk ka ndryshuar, por në rrobaqepësi vërehet një rritje e kërkesave. Përafërsisht në një rrobaqepësi porositen 100 maska në ditë, ndërsa në qytete nuk mungon as tregtimi i tyre në mënyrë ambulatore.

Për disa qytetarë është e vështirë që të blejnë çdo ditë maska kirurgjikale, ndaj dhe i janë drejtuar rrobaqepësive për tu pajisur me barriera mbrojtëse prej tekstili.

Një ndër mallrat më të kërkuara prej muajit mars, tashmë prodhohet në çdo lagje.

Pas deklaratës për mbajtjen me detyrim edhe në ambientet e hapura, stilistet shprehen se janë rritur dhe porositë.

“Ka fluks, i kërkojnë shumë. Materiali pambuk është i rehatshëm. Bëj 100 copë në ditë, edhe më shumë.”

Çmimi i një maske të tillë artizanale nuk shkon më shumë se 100 lekë, çmim ky më i ulët se në fillim të pandemisë.

“Maskat janë 100 lekë të reja.”

Megjithatë, disa qytetarë thonë se më shumë i besojnë maskës kirurgjikale, ndërsa të tjerë preferojnë  të barrierat prej tekstili.

“Ndihem më mirë me këtë që kam bërë vetë.”

“Në farmaci, janë më të sigurta.”

“Në farmaci janë më të kontrolluara dhe të sakta.”

7 muaj pas shpërthimit të pandemisë, maskat gjenden kudo nëpër qytet, në kioska ku afishohen edhe ofertat.

Në tezga të improvizuara vetëm për tregtimin e maskave.

Por edhe në rrugë, pa përmbushur asnjë kusht higjienik.

Ora news - Moda e maskave, boom kërkesash për ato tekstile, nga nesër me detyrim

SHKARKO APP