Modernizoi impiantet e përpunimit me mbështetjen e AZHBR, Denaj: Fabrika grumbullon qumësht nga 1 mijë blegtorë
Rreth 1000 blegtorë të zonës së Korçës, falë kontratave të biznesit kanë një vend të sigurt për qumështin e tyre në fabrikën “SHAKA” Boboshticë, e cila së fundmi ka modernizuar impiantet e përpunimit me mbështetjen e qeverisë. Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë vizitës që zhvilloi në fabrikën e përpunimit të qumështit “SHAKA”, e ngritur me punën e palodhur të Jani dhe Aleksandër Shakës në Boboshticë, që prodhon deri në 3 tonë djathë të bardhë e 300 kg kaçkavall në ditë.
Si përfitues i investimeve përmes Skemës Kombëtare nga AZHBR, Jani ka rritur cilësisht teknologjinë dhe sot në këtë fabrikë përpunohen rreth 20 tonë qumësht në ditë. Denaj u shpreh se, me mbështetjen e programeve të qeverisë, fabrika ka përmirësuar teknologjinë e përpunimit, standardizuar cilësinë dhe garanton parametra të larta të sigurisë ushqimore.
Industria e agropërpunimit është një ndër sektorët me potencial të madh në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Ky sektor kryeson me një sërë investimesh të rëndësishme në të gjithë nënsektorët e saj, nga përpunimi i qumështit, mishit, fruta-perimeve etj., duke sjellë një standard të ri zhvillimi në prodhime cilësore dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Investimet në makineri dhe pajisje të teknologjisë së lartë me mbështetjen e programit IPARD II, kanë sjellë rritje të standardeve dhe kapaciteteve prodhuese, duke synuar përveç tregut vendas, edhe atë të jashtëm, krahas ndikimit në rritjen e të ardhurave në ekonominë rurale dhe nxitjen e punësimit. Qëllimi i këtyre investimeve është arritja e standardeve evropiane të cilësisë dhe garantimi i sigurisë ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, si dhe rritja e punësimit dhe zhvillimi i zonave rurale.