Momente drithëruese, kur ushtari shqiptar kthehet nga Afganistani
Ushtari Shkëlqim Hoxha, prej vitesh me shërbim në Afganistan u kthye në atdhe por nuk lajmëroi askënd. Ai mendoi që kthimi i tij të ishte një surprizë e bukur për nënën, e cila priste në ankth rikthimin e të birit nga lufta.
Direkt sapo preku tokën shqiptare, nga aeroporti, Hoxha vrapoi për tek puna e nënës së tij. Kur pa të birin me rroba ushtarake, e ëma shpërtheu në lot dhe e përqafoi me sa kishte fuqi.
Lajmin e ka bërë të ditur, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka përmes një postimi në rrjete sociale.
“E keni parasysh mallin dhe merakun e nënës për birin e saj? Imagjinojeni kur ai është ushtarak dhe ka shkuar të shërbejë në Afganistan. Ushtari i III Shkëlqim Hoxha nga batalioni i II i këmbësorisë, i cili është kthyer nga misioni në Herat i ka bërë këtë surprizë nënës së tij ditën e kthimit nga misioni”, shkruan Xhaçka.