Momenti i shembjes së pallatit të dëmtuar nga tërmeti në Durrës (Video)

Një pallat 5 katësh i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit është shembur ditën e sotme me shpërthim të kontrolluar nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.

IKMT ka publikuar edhe videot e momentin të shembjes së pallatit, të cilit tërmeti i kishte dëmtuar rëndë kolonat mbajtëse.

Pallati ishte ndërtuar në zonën e Shkëmbit të Kavajës ndërsa shembja është bërë rreth orës 12:00 me shpërthim të kontrolluar.

Operacioni është kryer pasi janë thyer me krahë rreth 40 metër kub mur tulle. Për shembjen e pallatit, i cili ka rezultuar i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, u përdorën 6 kilogramë lëndë eksplozive c4, vendosur në 200 furnela (vrima) të hapura në trupin e objektit. Shpërthimi është realizuar me sukses dhe pa asnjë dëmtim në objektet pranë tij.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, kjo godinë në zonën e plazhit u kthye në të pabanueshme, ashtu si dhe shumë objekte të tjera banimi, hoteliere dhe shërbimi përgjatë bregdetit të Durrësit dhe në qytet e rrethina.

Aktualisht vijon puna dhe për shembjen e objekteve publike arsimore, të cilat u dëmtuan nga tërmeti, në zona të ndryshme të Durrësit. Janë rreth 1050 godina që do të shemben në territorin e bashkisë së Durrësit për t’i hapur vend procesit të rindërtimit dhe kthimit në normalitet të zonave ku godinat jashtë funksionit ngrihen si dëshmi të tërmetit dhe asaj që përjetuan banorët e rrethit bregdetar.

SHKARKO APP