Monika Kryemadhi paraqitet në SPAK, me një pako të madhe në duar
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të vendimit të Gjykatës.
Sipas vendimit, Kryemadhi duhet të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji. Ajo ka mbërritur në SPAK me një pako të madhe në duar, me sa duket dokumente për çështjen e saj.
Monika Kryemadhi po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie nën masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta ndodhet në burg për të njëjtat akuza.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.